Avokati i Popullit në Shqipëri përkrahё studentët

Studentët dalin sot për të 14-n ditë në shesh, duke vijuar protestën e tyre kundër tarifave të larta të studimit dhe kushteve skandaloze në konvikte e fakultete. Nëpërmjet një deklarate për media, Avokati i Popullit kërkon që të bëhet përgjysmimi i tarifave të studimit për disa kategori të studentëve, shkruan tch.

“Qysh prej nisjes së zbatimit të ligjit të ri të arsimit, institucioni i Avokatit të Popullit ka marrë ankesa të shumta nga studentë e familjarë të cilët kërkojnë lehtësimin e barrës së pagesave që kategori vulnerabël studentësh duhet të përballojnë për arsimimin e tyre. Vlen të theksohet se ligji i ri nuk ka marrë në konsideratë zbatimin e atyre politikave në fuqi, të cilat shërbejnë për lehtësimin e këtyre kategorive nga pagesat e tarifave. Për këtë arsye, rekomandime të njëpasnjëshme u janë dërguar institucioneve përgjegjëse arsimore nga ana e Avokatit të Popullit përgjatë gjithë viteve 2017 dhe 2018”, thuhet në deklaratën e Avokatiti tё popullit.

“Institucioni i Avokatit të Popullit i përkrah kërkesat e studentëve që kërkojnë akses dhe kushte më të mira për arsim, duke bërë thirrje që të rishikohet me përgjegjësi sociale i gjithë kuadri ligjor i sistemit tonë të edukimit, për të garantuar që e drejta për arsim cilësor për të gjithë qytetarët tanë pa asnjë dallim, të jetë përgjithmonë e garantuar”, thuhet ndёr tё tjera nё deklaratёn e Avokatit tё Popullit. /©Kabllogrami/

 

Comments (0)
Add Comment