Eklips total diellor në Amerikën jugore

Banorët e Amerikës së Jugut, sidomos ata në Kili dhe Argjentinë, dje kanë pasur mundësinë ta shijojnë fenomenin spektakolar qiellor – eklipsin total solar ose errësimin e diellit.

Vëzhguesit e qiellit në pjesët e Kilit dhe Argjentinës kanë parë se si kalon Hëna direkt para Diellit, duke e bllokuar dritën për disa minuta, transmeton Koha Ditore.

Errësimi i sivjetëm total i Diellit ka filluar përtej Paqësorit. Hija e madhe e Hënës ose umbra së pari ka “prekë” sipërfaqen e oqeanit në lindje të Zelandës së Re.

Sipas mediave të huaja, anijet dhe aeroplanët janë dërguar nga Polinezia Franceze për ta shikuar eklipsin solar.

Pjesa e parë dhe e vetme e Tokës në Oqeanin Paqësor që gjendet në këtë rrugë është ishulli i vogël i Oenos. Ky atoll i pabanuar është bllokuar nga errësira ​​për pothuajse tre minuta, duke filluar nga ora 10:24 sipas orës lokale, ose rreth orës 19:24 sipas kohës sonë.

Umbra pastaj ka kaluar mbi brigjet e Kilit. Në mesin e atyre të cilët kanë përjetuar të fundit eklipsin solar janë banorët e Chascomusit në rrethin e Buenos Aires rreth orës 21:44 sipas kohës sonë, pak para perëndimit të diellit.

T’ju rikujtojmë, eklipsi solar i korrikut është një nga pesë eklipset solare të këtij viti. Deri më tani kemi pasur eklips të pjesshëm solar më 6 janar, një eklips total hënor më 21 janar, ndërsa pas eklipsit të djeshëm total të Diellit, do ta kemi një eklips të pjesshëm hënor më 16 korrik dhe eklips anular solar më 26 dhjetor 2019. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment