FMN: Ekonomia e Kosovës mund të tkurret 5 për qind

Institucione financiare ndërkombëtare kanë aprovuar kredi për Kosovën, për të mbuluar humbjet nga pandemia COVID-19, por këto para nuk po mund të merren, pasi marrëveshje të tilla kërkojnë ratifikim në Kuvendin e Kosovës dhe votat e dy të tretave të të gjithë deputetëve.

Qeveria është sponsorja kryesore e ligjeve të cilat miratohen në kuvend, por është e paqartë nëse qeveria aktuale në detyrë mund të bëjë një gjë të tillë.

Përparim Kryeziu, zëdhënës i qeverisë në detyrë, tha për Radion Evropa e Lirë se kanë miratuar një Pako Emergjente Fiskale në vlerë prej rreth 180 milionë euro, e cila është në zbatim dhe se janë duke e hartuar edhe pakon e dytë e cila ka në fokus vetëm rimëkëmbjen ekonomike.

Por, Kryeziu shton se sikur të ishte një situatë tjetër politike ka mundur të bëhen hapa më efektivë.

“Nëse do të kishte një përballje më të mirë ndërpolitik padyshim vëmendja do të ishte edhe më e madhe edhe më efektive në aspektin ekonomik, por ne kemi vepruar në një ambient të polarizuar ekonomik, në një parlament që nuk shpreh gatishmërinë që t’i dalë në ndihmë ekonomisë së vendit përmes bashkëpunimit me Ministrinë e Financave dhe Transfereve”, thotë a

Sipas disa të dhënave të cilat i ka prezantuara ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, humbjet janë të mëdha për Kosovën dhe atë deri në 6 milionë euro në ditë.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), përmes një njoftimi publik dërguar javën e kaluar ka kërkuar nga institucionet e vendit që të shfaqin vullnet të fuqishëm dhe angazhim serioz për arritjen e një stabiliteti të përgjithshëm politik.

Pas pandemisë parashikimet për ekonominë e Kosovës janë të zymta.

“Stabiliteti politik është kyç për nxitjen e investimeve të brendshme dhe tërheqjen e investimeve të huaja”, thuhet në një deklaratë të OEAK.

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment