Kreu i shërbimit sekret britanik tregon punën sekrete në luftërat në Ballkan

Alex Younger, kreu i Inteligjencës Britanike, MI6, tha se puna e tij e parë sekrete në Ballkan ishte të infiltrohej në një organizatë që “synonte të kryente gjenocid” në Ballkan në mes të viteve 1990.

Kreu i MI6 Alex Younger tha në një fjalim të rrallë në ish-universitetin e tij të hënën se puna e tij e parë me Shërbimin e Inteligjencës Britanike ishte “te hynte në një organizatë që synonte gjenocidin në Ballkanin Perëndimor në mesin e viteve 1990”.

Youngerit iu kërkua nga MI6 që “të merrte informacione të fshehta për qeverinë britanike” në lidhje me organizatën, emrin e të cilës ai nuk e tregoi, gjatë luftërave ballkanike në vitet 1990.

“Puna që më caktuan në Ballkan më çoi nëpër vende që s’mendoja kurrë se do t’i vizitoja, shpesh duke udhëtuar nën një identitet të rremë. Në të përfshiheshin shumë netё duke pirë alkool të prodhuar në shtëpi, bashkim i qëllimeve të palëve në atë konflikt dhe lejimi im për të krijuar marrëdhëniet sekrete të nevojshme për të siguruar informacione që i nevojiteshin me urgjencë vendit tonë”, tha Younger në fjalimin e tij në Universitetin St Andrews në Edinburg, Skoci.

“Pata kënaqësinë të dija se puna ime, së bashku me atë të shumë të tjerëve, ndihmuan në hapjen e rrugës për arrestimin dhe gjykimin e kriminelëve të luftës të implikuar në vrasjen ose zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve,” shtoi ai.

Krerët ushtarakë dhe politikë serbë të Bosnjës janë dënuar për gjenocid gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, si edhe anëtarë të njësisë paraushtarake “Akrepat”.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq, u akuzua gjithashtu për gjenocid nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, por vdiq gjatë gjyqit në Hagë në vitin 2006.

Pas luftës, MI6 thuhet se ishte përfshirë në kërkimin e ish-liderëve politikë dhe ushtarakë serbë të Bosnjës Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, të cilët që nga ajo kohë janë dënuar për gjenocid dhe krime të tjera nga gjykata e OKB-së në Hagë. Të dy aktualisht po apelojnë kundër vendimeve të shkallës së parë.

MI6 pretendohet se kërkoi gjithashtu gjeneralin kroat të kohës së luftës Ante Gotovina, i cili u lirua përfundimisht nga akuzat për krime kundër njerëzimit në vitin 2012.

Kjo ishte hera e parë që Younger ka folur publikisht për përfshirjen e tij në Ballkan.

Më parë dihej që ai iu bashkua MI6 në vitin 1991 dhe u vendos në Europë dhe në Lindjen e Mesme. Ai u bë shef i MI6 në vitin 2014. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment