Requiem për Rilindjen: ‘Vrasja’ e Rilindjes si prelud për vrasjen (copëtimin) e Kosovës

Nga Mentor Bogaj
Nga Mentor Bogaj

Për gazetën “Rilindja”, edhe sot e gjithë ditën breza të tërë me të drejtë ndjejnë nostalgji, dhe kjo është edhe një dëshmi se ‘Rilindja’ frymon me popullin dhe do të jetojë përherë përkrahë popullit.

Pak histori për këtë dritare të emancipimit të gjysmës së popullit shqiptar të mbetur nën okupimin serbo-jugosllav në trojet e tyre autoktone në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e Serbi

Rilindja është gazeta e parë në gjuhën shqipe në ish Jugosllavi. Filloi të botohet sot e 74 vjet më parë, më 12 Shkurt të vitit 1945 në qytetin historik të Prizrenit, pak pas përfundimit të operacionave ushtarake me tërheqjen e forcave gjermane nga Kosova, që njëherit konsiderohej edhe fundi i Luftës së Dytë Botërore për territorin e Kosovës.

Botimi i Rilindjes u bë i mundur me angazhimin e intelektualëve më të shquar shqiptarë të asaj kohe, me shkronja plumbi që u sollën me arka nga Tirana. Disa krijues do të gjenin analogji me filmin shqiptar “Udha e Shkronjave”…

“T’i përvishemi punës…”, ishte kryeartikulli në ballinë i numrit të parë të gazetës ‘Rilindja’, që mbanë datën 12 fruer (shkurt) 1945 që kishte çmimin edhe 1 lek shqiptar, e që nënkuptonte natyrshëm se Kosova mund t’i bashkohej Shqipërisë konform konkluzave të konferencës së Bujanit, derisa gjithë ky synim u rrënua me mashtrimin e rradhës vetëm disa muaj më vonë kur në konferencën e 10 korrikut 1945 në Prizren, Kosova iu aneksua Serbisë dhe u fut nën robëri të rëndë me gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake.

Më pas gazeta bartet në Prishtinë ku zhvillohet tutje për t’u shndërruar në ‘industrinë’ primare të emancipimit të popullit shqiptar në ish Jugosllavi. Nisi si e përjavshme me vetëm katër faqe deri më 1948 kur filloi të dalë dy herë në javë, të enjten dhe të dielën. Tek nga viti 1958 bëhet gazetë e përditshme, me përjashtim të premteve. Gjerësa, nga viti 1964 botohet përditë dhe me më shumë faqe dhe me një laryshi temash e rubrikrakish ku spikatin çështjet kulturore aq të nevojshme në atë kohë për emancipimin e përgjithshëm të popullit, pa dallim moshe e gjinie.

Pra, e përditshmja “Rilindja” për rreth pesë decenie me radhë ishte “fabrika” më e madhe e shqiptarëve në ish-Jugosllavi në fushën e kulturës, arsimit, dhe të emancipimit  socio-ekonomik e politik.

Përveç informimit si destinim kryesor, në faqet e “Rilindjes” mësohej shkrim-leximi, letërsia dhe shkenca. Ajo ndikoi fuqishëm edhe në emancipimin e femrës shqiptare dhe në integrimin e shqiptarëve në rrafshin kulturor, shpirtëror dhe të dijes kolektive.

Në kuadër të Rilindjes botoheshin edhe këto revista revyale e periodike me karakter shkencor, kulturor, edukativ, argëtues e profesional: “Jeta e Re”, “Përparimi”, “Fjala”, “Pionieri”, “GEP-i”, “Shkëndija”, “Kosovarja”, “BAT-i”, “Thumbi” dhe “Bujku”.

Gazeta “Rilindja” ishte padyshim gazeta më e shitur në trojet shqiptare të ish federatës: në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Serbi e deri në Beograd. Thuhet nga burime të ndryshme të gjetura në internet, se tirazhi maksimal i shitjes së gazetës ‘Rilindja’ ka mbërri gjatë festave të Vitit të Ri, deri në 234.000 ekzemplarë.

“Rilindja” mbetet dëshmi e zhvillimit socio-kulturor të gjysmës së kombit shqiptar dhe të ballafaqimit të tij me sfida të ndryshme të ekzistencës dhe zhvillimit, deri te aktivitetet gjenocidale të regjimit serbo-jugosllav ndaj shqiptarëve në trojet e tyre autoktone nën pushtimin e ish-Jugosllavisë.

Në anën tjetër, pallati i shtypit “Rilindja” ndonëse i inicuar në vietet ’60, merr hov në ndërtim në vitin 1974 kur Kosova avancon statusin politik në kuadër të ish RSFJ-së, duke u bërë element konstituiv i federatës. Ndërtimi i pallatit të shtypit merr formën komplete në vitin 1978 dhe në objektin shumëkatësh vendosen: Shtypshkronja “Rilindja” që pajiset me teknologjinë më moderne të kohës, Redaksiia e gazetës “Rilindja”, Redaksia e revistave, Redaksia e botimeve “Rilindja”, Redaksia “Zëri i Rinisë” dhe shërbimet tjera administrative – teknike të “Rilindjes”.

Gjatë viteve tetëdhjetë dhe fillim vitet nëntëdhjetë, shtypshkronja është njëra ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore, ku shtypeshin libra të shkrimtarëve dhe botuesve të njohur, pothuaj nga tërë bota.

Me 7 e 8 gusht 1990 okupatori serb, pak pas suprimimit me dhunë të statusit politik të Kosovës, shpërfaqi përsëri egërsinë historike ndaj shqiptarëve, duke e mbyllur Rilindjen e duke larguar nga puna punëtorët e saj, e sidomos intelektualët dhe kuadrin profesional. Gjatë kohës së okupimit për të mbajtur gjallë një dritare e informimit, Rilindja e burgosur, botohet me shumë vështirësi dhe nën llupën e okupatorit, me emrin “Bujku”.

Pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, kur pritej që Rilindja vërtet të rilindte, administrata e OKB-së e instaluar në Kosovë me elementë të saj të ndikuar nga agjenturat serbe dhe jo vetëm, vazhduan politikat e okupatorit serb, duke sabotuar në çdo përpjekje për ringjalljen e Rilindjes. Së pari duke ua ndaluar me dhunë punëtorëve të “Rilindjes” që të kthehen në objektet e ‘Rilindjes’ dhe në vendet e tyre të punës, me arsyetimin banal se nga qeveria e Serbisë e paskan pranuar regjistrin që e evidenton objektin e rilindjes si ndërtesë qeveritare.

Megjithatë ‘Rilindja’ përkundër vështirësive dhe sulmeve nga shumë krahë lufte e paqeje, arriti të botohet rregullisht që nga çlirimi i Kosovës ‘99 deri të enjten e 21 Shkurtit 2002 kur përfundimisht ndal botimin, pasi që UNMIK-u arrin që përfundimisht t’i përzë nga objekti-shtëpia e tyre, që edhe sot për ironi mban emrin popullor “objekti i Rilindjes”.

Mbyllja nga UNMIK-u, u konsiderua e kundërligjshme dhe e padrejtë me dëbimin e dhunshëm nga Pallati me emrin e saj në Prishtinë, edhe nga shumë organizata ndërkombëtare e vendore që merren me të drejtat e njeriut, lirinë e shtypit dhe të shprehjes etj. Por, Unmik-u që kishte në sfond të misionit politika raciste antishqiptare, tashmë të ditura për opinionin, dhe me kokëuljen e politikanëve të korruptuar kosovarë, nuk hezitonte t’i godiste për vdekje vlerat e çmuara të trashëgimisë kulturore, siç ishte ‘Rilindja’.

Gazeta “Rilindja” nga 21 shkurti i vitit 2002 kur i përzuri UNMIK-u nga objektet e tyre dhe i detyroi ta ndalin botimin, ka nxjerrë edhe rreth 40 numra protestues, të jashtëzakonshëm, e të kohëpaskohshëm të “Rilindjes”, derisa ka pushuar së botuari krejtësisht tash e rreth 10 vite.

Por gjithësesi, vulën e turpit e mbajnë mjeranët shqiptarë që nga pas çlirimi kanë pushtetin në Kosovë, duke lejuar që ky aset me vlerë të pamatshme për trashëgiminë kulturore shqiptare të sabotohet dhe të lejohet të venitet në mënyrën më të poshtër të mundshme.

Por rilindjen nuk e lejon populli të vdes, sepse ajo i dha aq shumë këtij populli. ‘Rilindja’ është gjallë dhe do të rilind prore. Edhe kur të kujtojnë nihilistët e defitistët shqiptarë me tru-shkau që fatkeqësisht sot e 20 vite mbajnë pushtetin në Kosovë, se ‘Rilindjen’ tashmë e kanë mbytur, se ‘Rilindja’ ka vdekur, ata gabohen rëndë. Se ‘Rilindja’ ringjallet si feniksi dhe rilind prore. “Rilindja”, për të cilën edhe sot e gjithë ditën breza të tërë me të drejtë ndjejnë nostalgji, është edhe dëshmi se ‘Rilindja’ frymon dhe do të jetojë përherë përkrahë popullit.

Për ilustrim, serbët me xhelozi e ruajnë gazetën e tyre më të vjetër ditore ‘Politika’ dhe e botojnë përditë që nga themelimi i saj në vitin 1904, duke e vlerësuar si pasuri kombëtare dhe asetin më të çmuar të trashëgimisë së tyre kulturore. Ndonëse gjatë luftës së parë botërore kur Austro-Hungaria kishte pushtuar Serbinë, gazeta ‘Politika’ nuk ishte botuar për rreth 5 vite, si dhe gjatë luftës së dytë botërore nga 6 Prilli 1941 deri më 28 Tetor 1944 kur Gjermania naziste kishte mbajtur të pushtuar Serbinë, por menjëherë me t’u larguar nazistët, gazeta ‘Politika’ kishte vazhduar së botuari përditë, gjë të cilën do të duhej ta bënim edhe ne me ‘Rilindjen’ pa ndërprerë që pas çlirimit nga nazizmi serb në vitin 1999.

Po kështu ndodh edhe me Kroacinë, gazeta e tyre më e vjetër ‘Vecernji list’ e themeluar në vitin 1862 këtë vit feston 157 vjetorin e themelimit, dhe vazhdon të botohet përditë, tashmë në verzionin online në internet. Kroatët e konsiderojnë pasuri tejet të çmuar kombëtare.

Në këtë përvjetor të 74-të të ditëlindjes së Rilindjes së vrarë nga pushteti i “çlirimtarëve” që sot po e vrasin edhe Kosovën, ndjenja e keqardhjes të mbërthen për ish punëtorët e Rilindjes, ndaj të cilëve është bërë padrejtësi e rëndë historike. I kanë lënë pa punë, ua kanë vrarë vullnetin, ua kanë thyer lapsat dhe ua kanë ngulur në sy. I kanë verbuar. Përmes tyre edhe popullin. Mbase ‘vrasja’ e Rilindjes vjen si prelud edhe për vrasjen (copëtimin) e Kosovës, projekt të cilin po e synon me ngulm presidenti i kësaj toke që e ka plagosur rëndë dhe në vend të kurimit vetëm sa ia shton plagët për 20 vite pa mëshirë derisa ta shkatërrojë të tërën. /©Kabllogrami/

Shënim: Të dhënat lidhur me datat apo që kanë të bëjnë me shifra e numra janë marrë nga disa burime të gjetura në internet lidhur me historikun e gazetës “Rilindja”, andaj ju kërkojmë ndjesë lexuesëve nëse rastësisht ndonjë datë, numër ose shifër nuk del të jetë plotësisht i saktë (nga pamundësia e verifikimit empirik të tyre), ndonëse të njejtat nuk ndikojnë dhe janë pa peshë në shtrimin e këtij shkrimi.

Comments (0)
Add Comment