A po bie qeveria!? Palohet Veseli, kërkon që taksa të pezullohet për 120 ditë

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka propozuar që taksa ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës e Hercegovinës të pezullohet me kushte për 120 ditë. Kjo i bie tamam sa të stërmbushet Kosova me mallra serbe për 2 vitet e ardhshme. Dhe do ta trimëronte Serbinë që të bëhet akoma më destruktive, pasi që s’ishim në gjendje të rezistojmë me veprime imponuese për ta ndalur shkatërrimin e shtetit të Kosovës. E miqtë tanë çfarë presioni janë duke i bërë Serbisë në politikat fashiste të saj ndaj fqinjëve me të cilët kufizohet, apo të njejtit po e stimulojnë atë për sjellje të tilla!?

Ky pezullim ka thënë Veseli, duhet të bëhet si mirëbesim ndaj SHBA-së dhe BE-së. Në një status goxha të gjatë, në faqen e tij në rrjetin social Facebook ai ka dalë kundër letrës së sotme të Kryeministrit Haradinaj dërguar  vendeve të Quintit dhe BE-së për kushtet e heqjes së taksës si dhe ka dhënë disa nga arsyet e veta që mbështesin këtë propozim.

Duke dalë kundër letrës së sotme të Haradinajt ku ky i fundit, liston kushtet për heqjen e taksës, drejtuar vendeve të Quintit dhe BE-së, Veseli ka thënë se: “Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike” .

Postimi i plotë në rrjetin social Facebook i kryetarit të PDK-së Kadri Veselit:

Sot kam takuar Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett. E vlerësoj dhe e falënderoj edhe një herë publikisht qëndrimin amerikan në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës dhe perspektivës euroatlantike të vendit tonë.

Pa dyshim, SHBA-të mbeten partneri ynë më strategjik dhe miku më i madh i Kosovës në të gjitha fazat dhe proceset e lirisë dhe shtetndërtimit.

Dua ta bëj të qartë se përkushtimet e SHBA-ve për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, për orientimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për paqen e qëndrueshme ne rajon, përmes Dialogut dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe interesa vitale të vetë shtetit tonë.

Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Republika e Kosovës, që disa muaj, ka vendosur taksën doganore prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit politik dhe diplomatik të këtyre dy shteteve kundër shtetit, qytetarëve dhe mallrave tona.

Ky është një vendim legjitim, i drejtë, i duhur dhe i imponuar ndaj institucioneve tona që po përballen me këtë agresion, prandaj edhe do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa këto shtete do të kenë një politikë të tillë kundër shtetit tonë.

Taksa asnjëherë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë orientim kundër aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve dhe BE-së, e as kundër interesave të tyre strategjike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

E ritheksoj se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

Takimin që kam ftuar javën e kaluar, më 23 janar, bashkë me Kryeministrin dhe Ambasadorin Kosnett, ka qenë i frytshëm dhe në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje kalimtare në lidhje me taksën ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qëllimi i takimit ka qenë afrimi dhe jo largimi me SHBA-të.

Andaj, shqetësimet serioze, të shprehura në deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane, si vazhdimësi e letrës së Presidentit Trump, por edhe qëndrimin konsistent amerikan në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë, i marrim me seriozitetin më të madh dhe do t’iu përgjigjemi në mënyrë konstruktive.

Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende.

Besoj se ky është vendim i arsyeshëm, që e ruan dinjitetin e vendit, afirmon legjitimitetin e vendimit për taksën 100%, por edhe balancon interesin shumë strategjik të Kosovës, duke ruajtur dhe intensifikuar raportet me partnerët tanë kryesorë, SHBA-të dhe BE-në.

Qëndrimi im është që taksa duhet të mbetet si vendim i drejtë i Republikës së Kosovës, por pezullimi i përkohshëm, me kohëzgjatje prej vetëm 120 ditësh, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-ve dhe BE-së, edhe për këto arsye:

  1. Kosova tregon përkushtimin e vet të palëkundur ndaj SHBA-ve dhe BE-së, si dhe ndaj prioriteteve të vëna për Ballkanin Perëndimor, të cilave ju besojmë edhe ne si shtet.
  2. Kosova dëshmon se është pjesë e politikave të paqes dhe partneritetit dhe i promovon ato si politika të veta.
  3. Përderisa qëndrimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është për t’i dhënë shans Dialogut për arritjen e Marrëveshjes Ndërkombëtarisht Obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka është krijuar tashmë edhe Delegacioni Shtetëror, ne duhet t’i japim mundësi këtij procesi dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura. Ne besojmë se Dialogu është mjeti më efikas dhe i domosdoshëm për t’i tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor dhe si shtet duhet të jemi promovues permanentë të këtyre vlerave.
  4. Dialogu, si proces, mund dhe duhet të ndodhë me një format dhe orar që përcaktohet në pajtim me partnerët tanë perëndimorë. Por, qasja konstruktive e Republikës së Kosovës në këtë proces nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe të shërbejë si mundësi përfitimi për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, derisa qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.
  5. Kosova duhet të jetë e përkushtuar për përfundim të suksesshëm të Dialogut. Por, nëse ky proces nuk rezulton me Marrëveshje të pranueshme për Republikën e Kosovës, shteti ynë do të rivendosë taksën prej 100% dhe do të ndërmarrë masa të tjera shtesë për vendosjen e reciprocitetit të plotë, për të mbrojtur interesat tona politike dhe ekonomike.

Kujtesa jonë politike në Kosovë na lë të kuptojmë pa dyshim se kërkesat e SHBA-ve gjithmonë kanë rezultuar me veprime pozitive për Kosovën dhe qytetaret e saj. Konferenca e Rambujesë, intervenimi i NATO-s, Pakoja e Ahtisaarit, Pavarësia e Kosovës, si dhe së fundmi mbështetja për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e shumë vendime e veprime të tjera, janë dëshmitë më të pakontestueshme se kurdoherë që kemi qenë në linjë të njëjtë me SHBA-të vetëm kemi fituar dhe asnjëherë s’kemi humbur.

Në politikën kosovare, në shoqërinë tonë, në popullin tonë, nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi se harmonizimi i Kosovës me SHBA-të i sjell vetëm të mira popullit të Kosovës. Përkundrazi, vetëm harmonizimi i Kosovës me SHBA-të është garanci për suksesin e Kosovës në çdo aspekt. Andaj, kokëfortësia ndaj kërkesave të mikut tonë më të madh nuk është politike shtetformuese.

Vendimet tona politike duhet të kenë në thelb të vetin interesin e shtetit dhe të qytetarëve tanë, e jo qasjen iracionale të përfitimeve politike individuale, grupore e partiake.

Prandaj, në Dialog duhet të shkojmë më të bashkuar dhe më të qartë se kurdoherë me parë. Kjo është qasja ime, por edhe e koalicionit tonë. Kushtetuta e Kosovës është mandati dhe baza jonë e vetme në Dialog. Sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit tonë janë të pacenueshme. Andaj, nuk do të ketë as këmbim territoresh, e as Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive. Çfarëdo vendimi që mund të vijë nga përfundimi i Dialogut, do ta ketë vulën dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes të të zgjedhurve të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe përmes referendumit.

Në këtë proces, ne duhet t’i bashkërendojmë veprimet tona me partnerët tanë strategjikë, para së gjithash me SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, askush nuk duhet ta lëkundë besimin tonë te SHBA-të, e as besimin amerikan te ne. Çfarëdo qëndrimi që e vendos Kosovën në kursin e konfrontimit me SHBA-të nuk do ta ketë mbështetjen time asnjëherë – ka thënë Veseli në fund të postimit të tij.Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment