Çka pritet nga Samiti i Zagrebit për Ballkanin dhe Kosovën!?

Sot në Zagreb pritet të mbahet Samiti BE – Ballkan Perëndimor, ku temë kryesore do të jetë rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë COVID-19. Perspektiva e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së pritet të jetë temë qendrore e Samitit, ndonëse pritjet nuk duhet të jenë të mëdha, raporton Gazeta Online Kabllogrami.

Për shkak të situatës, ky samit nuk do të jetë i zakonshëm, pasi do të mbahet përmes video-konferencës.

Pas reagimeve në Kosovë se pse ftesa i është dërguar vetëm presidentit Thaçi e jo edhe kryeministrit Kurti, nga zyra e BE-së doli sqarimi se ata i kanë dërguar ftesë institucioneve të Kosovës, derisa atyre u mbetet të vendosin se kush do t’i përfaqësojë, raporton Kabllogrami.

Nga zyra e presidentit Hashim Thaçi thanë se, ditë më parë presidenti ka marrë edhe zyrtarisht ftesën nga organizatorët e Samitit, derisa e njëjta nuk i është bërë edhe kryeministrit Kurti.

Mentor Bogaj, njohës i çështjeve euro-integruese, njëherit Këshilltar në Ministrinë e Integrimit Evropian, tha për gazetën online Kabllogrami, se ky samit po konsiderohet si moment i veçantë, pasi BE-ja po dëshmon vullnetin politik për të avancuar perspektivën evropiane të Ballkanit, derisa përfaqësimi i Kosovës në këtë samit si e barabartë me vendet tjera të rajonit, jep impute pozitive pas heqjes së vetos nga ana e Spanjës, pasi ky shtet deri tash kundërshtonte pjesëmarrjet e Kosovës në nivele të tilla.  

Ballkani Perëndimor nga ky samit fokus kryesor do ta ketë mbështetjen ekonomike, por do të rikonfirmohet edhe e ardhmja evropiane për vendet e Ballkanit, ndonëse çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën nuk do të marrë hapësirë të veçantë në këtë Samit, thotë Bogaj.

“Zbutja e qëndrimit spanjoll që në Samitin e vitit 2018 në Sofje të Bullgarisë i nxori Kosovës telashe goxha të mëdha, për pjesëmarrjen e Kosovës tashti si e barabartë me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, po shihet si pozitive në rrugëtimin euro-integrues të rajonit. Ky përafrim i Spanjës me pjesën dërrmuese të vendeve të BE-së që tashmë e kanë njohur Kosovës po shihet si shpresëdhënës se edhe Spanja po e njeh një realitet të ri në Evropë që quhet Republika e Kosovës dhe të njëjtën duhet ta njohë, sidomos në kuadër të arritjes së marrëveshjes me Serbinë” thotë Bogaj.

Sipas Bogaj, mes tjerash vendeve të Ballkanit Perëndimor do t’u bëhet me dije që vëmendja politike duhet të mbetet në reforma evropiane, siç janë sundimi i ligjit, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reformat në qeverisje dhe administratën publike. Po ashtu, sipas tij, vend të veçantë në diskutime do të zënë Agjenda e Gjelbër e BE-së dhe përafrimi i Ballkanit me politikat mjedisore të BE-së. ©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment