Gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”: Është arritur marrëveshja për ndryshim të kufijve, publikon modalitetet dhe datën e nënshkrimit

Gazeta ditore gjermane “Frankfurter Rundschau” publikon si ekskluzive atë për të cilën Gazeta “Kabllogrami” kishte shkruar dhe botuar para tre javësh

Ajo për çka kishte shkruar Gazeta ‘Kabllogrami’ ditë më parë, fatkeqësisht po del të jetë e vërtetë. Gazeta ‘Kabllogrami’ më datën 27 Janar të këtij viti, kishte marrë një dokument nga burimet e veta, me modalitetet bazike se si do të dukej marrëveshja Kosovë – Serbi. Duke pasur dyshime të thella në vërtetësinë e atij dokumenti dhe thjeshtë, duke mos mundur të besonim se diç e tillë mund të jetë e vërtetë, pasi që ai dokument i bie të jetë tradhëti e rëndë kombëtare, ‘Kabllogrami’ në ditët e ardhshme ka bërë përpjekje që nga burime tjera të vërtetojë autenticitetin e dokumentit, duke rrezikuar të humbim edhe ekskluzivitetin e botimit, deri sa na është konfirmuar edhe nga burime tjera brenda “kazanit ku po zihet” se janë diskutuar gjëra të tilla dhe ka bazë të jenë të vërteta.

Prandaj më datë 31 Janar dhe azhurnuar më 1 Shkurt të këtij viti e kemi botuar artilullin me titull: Ekskluzive dhe skandaloze: Ja se si do të duket marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi /foto/, për 17 pikat e marrëveshjes dhe ditën e nënshkrimit, të cilën sot e boton të njejtën si ekskluzive edhe gazeta e përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau”.

Artikullin e para tre javësh, linkun e të cilit për lexuesit e kemi risjellë brenda këtij shkrimi e kemi nisur me këtë hyrje: “Gazeta online ‘Kabllogrami’ nga burime të saj brenda qarqeve ku po diskutohen dhe shqyrtohen modalitetet finale për marrëveshjen e ashtuquajtuar ‘përfundimtare dhe historike’ me Serbinë ka arritur të sigurojë një dokument prej 17 pikave që thuhet të jetë një nga opcionet e mundshme finale të marrëveshjes Kosovë-Serbi”.

Linku i shkrimit të Kabllogramit: Ekskluzive dhe skandaloze: Ja se si do të duket marrëveshja përfundimtare Kosovë – Serbi /foto/

Sot gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau” fatkeqësisht po e vërteton atë që ‘Kabllogrami’ shkroi qysh para tre javësh, duke publikuar dhe shkruar po për ato 17 pika të marrëveshjes – për të cilat kishte shkruar ‘Kabllogrami’ para tre javësh, derisa gazeta gjermane supozon se kjo marrëveshje veçse është arritur, si dhe jep datën e nënshkrimit të kësaj “marrëveshjeje”, që është 12 Qershori i këtij viti (ashtu siç e botoi edhe ‘Kabllogrami), që i bie të jetë 20 vjetori i çlirimit të Kosovës nga okupatori serb.

Në vijim mund të lexoni përmbajtjen e shkrimit të gazetës së përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau” dhe krahasoni me artikullin (dokumentin 17 pikësh) që botoi ‘Kabllogrami’ para tre javësh.

Përmbajtja e shkrimit të gazetës së përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau”:

BE-ja dhe SHBA-të janë të gatshme të pranojnë këmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe më 12 qershor, në Uashington pritet të nënshkruhet marrëveshja finale rreth ndryshimit të kufijve, e cila do të hynte në fuqi gjashtë muaj më vonë, shkruan gazeta gjermane “Frankfurter Rundschau”.

Kjo gazetë në komentin e Adelhajd Velfël, shkruan se po rritet presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë që të nënshkruajnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, por kjo edhe paraqet rrezik për ndryshimet e kufijve në Ballkan.

“Frankfurter Rundschau” shkruan se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është  marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkruara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë thuhet se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Sipas kësaj gazete, ideja e ndarjes së Kosovës është e vjetër, por për Perëndimin deri kohë më parë ndryshimi i kufijve ka qenë i papranueshëm, pasi kjo do të binte ndesh me kushtetutën e Kosovës, planin e Marti Ahtisarit dhe konkluzionet e Grupit të Kontaktit të arritura para fillimit të bisedimeve në vitin 2006.

Duke vënë në dukje se kjo ndoshta në Bruksel më nuk dëgjohet, në koment thuhet se që nga gushti i vitit 2018, edhe komisioneri i zgjerimit Johannes Hahn dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-s Federica Mogherini, bien dakord për tërheqjen e kufijve etnikë, dhe se administrata amerikane nën presidentin Donald Trump bëri një kthesë prej 180 gradësh.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikën, me ardhjen e Administratës Trump kanë ndryshuar 180 shkallë qëndrimin për llojin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, shkruan Frankfurter Rundschau, përcjell Kabllogrami.

Gazeta gjermane citon një dokument (të cilin ‘Kabllogrami’ e kishte botuar para tre javësh) që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, për çka palët pothuajse janë dakorduar.

“Kohë më parë rrodhi një dokument që përmban një plan të ndarjes së Kosovës. Në 17 pika bëhet fjalë për tërheqjen e kufijve të rinj në mes të shqiptarëve dhe serbëve në veri të Kosovës dhe për bashkim me Kosovën të disa vendbanimeve kryesisht me shqiptarë në Serbi”, shkruan gazeta gjermane.

Sipas kësaj marrëveshjeje 17-pikëshe, qyteti i Mitrovicës do ta marrë një status të veçantë, me ç’rast ujësjellësi i Gazivodës dhe miniera e Trepçës do të privatizohen për 99 vjet nga përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Franca).

Në marrëveshje hyn edhe ndërtimi i bazës ajrore të NATO’s në Kuçovë dhe baza detare në Vlorë. Gjithashtu autostrada nëpër Serbi, që quhet Korridori i 10-të, planifikohet të futet në protektorat ndërkombëtar.

Sipas gazetës, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet me 12 qershor të vitit 2019 në Uashington, dhe të hyjë në fuqi gjashtë muaj më vonë, shkruan gazeta gjermane, diçka ngjashëm siç kishte paralajmëruar presidenti amerikan, Donald Trump.

“Nëse ka diçka në dokumentin që ka rrjedhë, atëherë shqetësimi në rritje i serbëve në jug të Kosovës është i justifikuar. Ata kanë frikë se do të qëndrojnë përgjithmonë të ndarë nga Serbia”, shkruan gazeta, duke cituar një deklaratë të politikanes serbe Rada Trajkoviç, se serbët nga enklavat do të largohen nga Kosova dhe se manastiret serbe do të bëhen muze në Kosovë.

Ndryshe nga Rada Trajkoviq, e cila u bën thirrje edhe shqiptarëve në Kosovë, që të sinjalizojnë se ata janë kundër shkëmbimit të territoreve sipas kritereve etnike dhe të demonstrojnë se bashkëjetesa është e mundur, për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, “marrëveshja me Kosovën është një projekt qendror, pasi kjo është mënyra që bashkësia ndërkombëtare të bashkëpunojë me të dhe të mbetet në pushtet”, vlerëson gazeta gjermane. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment