Johnson: Britania pa problem do të përballet me Brexit-in pa marrëveshje

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, në samitin e vendeve të G7-ës ka thënë se vendi i tij mund të përballet me lehtësi me Brexit-in pa marrëveshje me Bashkimin Evropian, i cili, sipas tij, do të ndodhte për shkak të kokëfortësisë së liderëve të BE-së.

“Mendoj se mund ta përballojmë këtë situatë. Britania e Madhe është vend i mrekullueshëm. Mund të përballemi me lehtësi me një skenar pa marrëveshje”, tha Johnson në Francë në debutimin e tij në skenën politike ndërkombëtare si kryeministër.

Ai shtoi se janë shtuar përgatitjet për rastin e ndarjes së mundshme nga Bashkimi Evropian pa marrëveshje, duke thënë: “Do ta bënim këtë, nëse jemi të detyruar të largohemi pa marrëveshje për shkak të kokëfortësisë së miqve tanë evropianë”.

Johnson më parë ka kërkuar që të hartohet një marrëveshje e re me Bashkimin Evropian në mënyrë që të sigurohen votat e mjaftueshme në kuvendin britanik. Sidoqoftë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta largojë Britaninë nga BE-ja edhe pa marrëveshje, shkruan “The Guardian”.  /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment