Kërkesa e Haradinajt drejtuar Kushtetueses është e pa objekt

Kërkesa e Ramush Haradinajt për qartësim të pozitës së tij pas dorëheqjes nga posti i kryeministrit, nuk mund ta vërë në lëvizje institucionin më të lartë për interpretimin e Kushtetutës.

Ky është interpretimi që i ka bërë një ekspert i Kushtetutës, vendimit të Haradinajt të cilin edhe zyrtarisht e ka dërguar të hënën në Gjykatën Kushtetuese, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas Haradinajt, me këtë akt qëllimi është që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes, por edhe që ky interpretim t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Por njohësit e rrethanave politike si dhe njohësit e të drejtës kushtetuese, këtë kërkesë të ish kryeministrit të dorëhequr (parevokueshëm), e shohin si qesharake dhe vetëm si lojë të pistë për të fituar kohë, do me thënë që ta zgjasë udhëheqjen e vendit edhe për disa muaj (ndonëse i dorëhequr), derisa të marrë përgjegje nga kushtetuesja.

Ndërsa njohësit e të Drejtës Kushtetuese thonë në mënyrë eksplicite se ish Kryeministri i Kosovës nuk mund ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese përveç rasteve të parashikuara shprehimisht me Kushtetutë në nenin 113 pikat 2 dhe 3. Këto dy pika qartë përcaktojnë se vetëm aktet juridike mund të sfidohen, të shkruara apo aktet e tjera që prodhojnë efekte juridike.

Kështu mendon ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, i cili siҫ shkruan Koha Ditore, pasi komenton një varg pengesash lidhur me këtë rast, thotë se kjo kërkesë e Haradinajt del të jetë e papranueshme për Gjykatën Kushtetuese.

Pra sipas Hasanit, “Kryeministri i Kosovës nuk mund ta vërë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese përveç rasteve të parashikuara në nenin 113 pikat 2 dhe 3 të Kushtetutës. Këto dy pika qartë përcaktojnë se vetëm aktet juridike mund të sfidohen, të shkruara apo aktet e tjera që prodhojnë efekte juridike”, thekson Hasani. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment