Kryekomisionerja e posazgjedhur e BE-së, po ka telashe në formimin e qeverisë evropiane


Mund të ndodhë që në Komisionin e udhëhequr nga një grua, numri i grave të jetë dukshëm më i vogël sesa i burrave. E po ashtu nuk do ta ketë të lehtë që t’ua ndajë rolet komisarëve, sepse disa shtete i kanë shprehur publikisht dëshirat e tyre, me çka edhe ia kanë rënduar punën.

Për shembull, pothuajse askush nuk e do resorin e zgjerimit, sepse e dinë se vështirë që kjo do të jetë politikë prioritare e BE-së në pesë vjetët e ardhshëm. Por shumë shtete kanë interes për resorin e mjedisit, konkurrencës, tregtisë, ekonomisë dhe financave, zhvillimit rajonal dhe bujqësisë

Kur emri i saj doli si rezultat i pajtimit jo të lehtë të liderëve të shteteve anëtare të BE-së se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian, u mendua se me zgjedhjen e saj, mes tjerash, janë respektuar sadopak edhe kriteret e një balancimi gjeografik, politik, gjinor dhe ideologjik.

Ursula von der Leyen, deri atëherë ministre e Mbrojtjes e Gjermanisë, ishte varianti rezervë i liderëve pasi paketa e parë nuk kaloi. Por kur emri i saj u vendos mbi tryezë, pakkush mund të shprehej kundër.

Ata që refuzuan holandezin Frans Timmermans, kryesisht liderët e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, me argumentin se ai “nuk e njeh atë pjesë të Evropës”, nuk mund të ishin kundër Von der Leyen. Ajo luajti rol të rëndësishëm në mbrojtjen që NATO-ja dhe BE-ja u jep shteteve të Evropës Lindore nga politika gjithnjë e më agresive e Rusisë.

Për ata që thirreshin në “vlerat e krishtera konservatore”, Von der Leyen nuk mund të jetë e papranueshme, sepse vetë është konservatore dhe ka hiq më pak se shtatë fëmijë. Flet edhe frëngjisht dhe kjo për Parisin është e domosdoshme.

Sapo u mendua se mund ta ketë problem të marrë mbështetjen e së majtës dhe të të gjelbërve, doli në sipërfaqe një përparësi tjetër e saj.

Ajo është grua dhe asnjëherë një grua nuk ka qenë në krye të Komisionit Evropian në historinë e BE-së. Dhe askush më shumë se socialdemokratët dhe të gjelbrit nuk kanë bërë thirrje që të respektohet më në fund parimi i barazisë gjinore, përfshirë edhe në postet më të larta. Tash, pasi iu dha rasti për herë të parë në histori një gruaje të jetë në krye të Komisionit Evropian, po të votonin kundër Von der Leyn të majtit dhe të gjelbrit do të merrnin mbi vete fajin se e refuzuan një grua në këtë post kryesor.

Dhe kështu, pak aty e pak këtu, pak në të djathtë e pak në të majtë, Von der Leyen siguroi numrin e mjaftueshëm të votave në Parlamentin Evropian dhe u konfirmua si pasardhëse e Jean Claude Junckerit në krye të Komisionit Evropian nga data 1 nëntor e këtij viti.

Qëkur e mori mbështetjen e Parlamentit Evropian, Ursula von der Leyen është angazhuar në formimin e Komisionit Evropian. Konsultimet me komisarët e nominuar, vizitat kryeqyteteve të vendeve anëtare po i bën edhe në këto ditë të nxehta vere, kur është koha e pushimeve vjetore. Por ka një sfidë jo të vogël.

Mund të ndodhë që në Komisionin e udhëhequr nga një grua, numri i grave të jetë dukshëm më i vogël sesa i burrave. E po ashtu nuk do ta ketë të lehtë që t’ua ndajë rolet komisarëve, sepse disa shtete i kanë shprehur publikisht dëshirat e tyre, me çka edhe ia kanë rënduar punën. Për shembull, pothuajse askush nuk e do resorin e zgjerimit, sepse e dinë se vështirë që kjo do të jetë politikë prioritare e BE-së në pesë vjetët e ardhshëm.

Por shumë shtete kanë interes për resorin e mjedisit, konkurrencës, tregtisë, ekonomisë dhe financave, zhvillimit rajonal dhe bujqësisë.

Natyrisht se për secilin resor në Komisionin Evropian do të thuhet se është i rëndësishëm. Por ata resorë që nuk janë të lidhur ngushtë me shuma të mëdha parash, janë më pak atraktivë për shtetet anëtare.

Deri më tash, shumica e shteteve anëtare tashmë i kanë propozuar kandidatët e tyre për anëtarë të Komisionit Evropian. Ajo që bie në sy është se prej 20, 15 janë meshkuj.

Prandaj ajo ka bërë thirrje që ato shtete të cilat nuk i kanë dërguar ende nominimet e tyre të propozojnë femra. Në këtë mënyrë do të mundë të rritej numri i femrave dhe t’i afrohej sadopak numrit të burrave. Pos që do të ishte mossukses dhe një nisje jo e mirë e punës së saj, kjo do t’i krijonte edhe probleme në mbështetjen në Parlamentin Evropian, ku edhe dha premtimin për luftë për barazi gjinore.

Madje disa deputetë thanë se në rast se nuk do të ketë numër të barabartë të grave dhe të burrave në Komisionin e saj, atëherë nuk do të votojnë në favor të Komisionit të saj.

Sfidë tjetër do të jetë edhe balancimi gjeografik. Deri më tash në ndarjen e posteve, vendet nga Evropa Qendrore dhe Lindore nuk kanë fituar asnjë post të rëndësishëm.

Asnjë nga pesë udhëheqësit e institucioneve kryesore të BE-së nuk janë nga këto shtete. Çfarë është edhe më e rëndë, tashmë dihet se dy nënkryetarët e parë të Komisionit Evropian do të jenë Frans Timerrmans nga Holanda dhe Margreth Vestager nga Danimarka, kështu që nuk kanë mbetur shumë vende që mund t’u ofrohen kandidatëve nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore.

Nëse Von der Leyen nuk arrin të krijojë një lloj balancimi brenda Komisionit të ardhshëm, në krye të të cilit do të jetë prej nëntorit të këtij viti e deri në vitin 2024, rrezikon që disa nga kandidatët të refuzohen në seancat dëgjimore të Parlamentit Evropian.

Ajo tash e ka rastin të dëshmohet se a do të jetë lidere e cila do të veprojë me integritet personal apo do të jetë në shërbim të disa vendeve anëtare, të cilat edhe do t’ia imponojnë asaj politikat me të cilat do të merret.

Përfundimi i fazës kadrovike, pra caktimi i komisarëve dhe ndarja e resorëve janë të rëndësishëm, sepse vetëm atëherë do të mundë të vendoset se cilat do të jenë edhe prioritetet kryesore për të cilat do të angazhohet Komisioni i ri Evropian.

Nëse do të merren parasysh shqetësimet e qytetarëve të BE-së, prioritete kryesore do të duhet të jenë ngrohja globale dhe çështja e migrimit ilegal. Këto dy fusha janë çështjet rreth të cilave ekziston shqetësimi kryesor i qytetarëve të BE-së.

Autor: Augustin Palokaj, Koha.net

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment