Kujdes, Kosova mund të mashtrohet në dialogun me Serbinë

Analisti dhe eksperti amerikan për çështjet gjeopolitike dhe gjeostrategjike të Evropës Lindore dhe të Ballkanit, Janusz Bugajski mendon se Kosova duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme gjatë procesit të dialogimit, ndryshe ajo do të mund të mashtrohet.

I pyetur nëse ekziston ndonjë dokument ku përmendet ndarja, copëzimi i Kosovës apo shkëmbimi i territoreve me Serbinë, Bugajski theksoi se nuk është në dijeni se ndonjë dokument i tillë ekziston.

“Shpresoj se tani kur dialogu të intensifikohet do të dimë më shumë për këtë proces. Sidoqoftë, procesi i negociatave duhet të jetë maksimalisht transparent, kurse qytetarët e Kosovës duhet të jenë më këmbëngulës për këtë transparencë”, deklaroi Bugajski për RTK.

I pyetur se a ofrohen garanci se Kosova mund të fitojë ulëse në OKB nëse arrihet një marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit, dhe nëse për zbatimin e marrëveshjes së tillë ofrojnë garanci SHBA-ja dhe BE-ja, Bugajski u shpreh skeptik.

“Nuk e di si mund të ndodhë kjo. E dimë se aty është Rusia dhe Kina”, tha Bugajski.

Ai shtoi se SHBA -të duhet të përfshihet më shumë në proceset për dhe rreth Kosovës, por këtë mund ta bëjë atëherë kur marrëveshja është afër.

Bugajski sqaroi se SHBA nuk e ka ndryshuar qëndrimin për objektivin primar në raport me Prishtinën, atë se Kosova duhet të jetë shtet stabil.

“Ky është objektiv i SHBA-së. Ajo çka ka ndryshuar është vetëm strategjia për të arritur stabilitetin  afatgjatë”, vuri në dukje Janusz Bugajski.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës synojnë një zgjidhje afatgjate për Kosovën.

“Kosova duhet të jetë pjesë e organizmave ndërkombëtarë, por ajo duhet të jetë e vëmendshme sepse çdo tentim për ndarje të territorit apo ndryshimit të kufijve në Ballka, do të mund të përdoret nga Rusia për interesa të saj, e jo për interesat e rajonit”, ka thënë mes tjerash Bugajski. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment