“LDK-ja e LVV-ja bënë mirë që s’u përfshinë në dialog”

Profesori i Shkencave Politike, Belul Beqaj ka folur për dialogun me Serbinë dhe takimin e parë që u zhvillua në Bruksel. Beqaj tha në Express Intervistën në KTV, se ky delegacion është i Prishtinës, dhe nuk beson se kanë marrë ftesë si delegacion i Kosovës, ashtu siç po e quajnë veten, transmeton Kabllogrami.

“Nuk jam optimist kur është në pyetje epilogu përfundimtar. Një, sepse ekipi si është krijuar nuk e legjitimon shumicën në Kuvend, dhe dy e legjitimon PSD-në të bëhet pjesë e ekipit negociator, këtu kanë bërë prognozë të gabueshme. Kërkesa e PSD me pesë kushtet e vëna, zvogëlon dëmin që po bën kjo qeveri, por kjo qeveri me këtë ekip po bën edhe më shumë dëme. Dhe tre, është e pamundur që këta të bëjnë ndryshimin e dialogut ashtu siç është nisur”, tha ai.

Sipas tij, ideja për korrigjim të kufijve është e gabuar. Tha se presidenti Hashim Thaçi ka mbetur vetëm e “atij është dashur t’i jepet një infuzion”.

Beqaj gjithashtu tha se Serbia nuk është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën. “Marrëveshja mund të nënshkruhet, por s’do të normalizohen marrëdhëniet”, tha ai.

Analisti politik Behlul Beqaj tha edhe se LDK-ja e LVV-ja bënë mirë që s’u përfshinë në dialog.

“LDK-ja VV-ja sot po bëjnë gjënë e duhur. Sipas meje ata po veprojnë drejtë. Janë konsistent. Është shumë mirë që janë në opozitë dhe s’janë përfshirë të gjithë në Ekip, sikur të përfshiheshin, do i bie që janë përfshirë të gjithë”, tha ai.

Për mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, nga presidenti Ilir Meta, Beqaj tha: “Debati rreth këtij rasti është degradues. Arsyet do të shihen brenda javëve tjera që lidhet me çështjen e korrigjimit të kufijve. S’ka dilemë, Cakaj është inteligjent, por unë nuk pajtohem me idenë e korrigjimit të kufijve, ashtu siç mendon Rama. Ai është identifikuar me idenë për korrigjim të kufirit, aty ka përfshirë edhe Cakajn e të tjerë”, tha ai. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment