Lëvizja Vetëvendosje i reagon ashpër Presidentit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ashpër pas deklaratave të sotme të presidentit Hashim Thaçi, i cili në një konferencë për media tha se karantinimi në konvikte po bëhet në mënyrë selektive dhe se kryeministri në detyrë, Albin Kurti së bashku me ministrat Xhelal Sveçla dhe Arben Vitinë, janë përgjegjës për çështjen e deputetit Behgjet Pacolli dhe shtytjen në vetëvrasje të 26-vjeçarit.

LVV përmes një komunikatë për media thotë se presidenti është duke nxitur përçarje pasi tha shumë të pavërtetash, dhe se për këto deklarime të presidentit janë duke konsideruar që t’i drejtohen organeve të drejtësisë.

Më poshtë, reagimi i plotë:

Reagim për të pavërtetat e Presidentit deklaruar sot në konferencë për media

Presidenti edhe njëherë sot gjatë konferencës për media tha një mori të pavërtetash dhe nxiti sërish përçarje. Këto të pavërteta të formuluara kësi lloj janë padyshim të qëllimshme dhe marrë parasysh institucionin që përfaqëson janë edhe të papranueshme.

Për tre të pavërtetat më të fundit ne po konsiderojmë që t’i drejtohemi organeve të drejtësisë, sepse gjithë sa Presidenti tha është shpifje, fyen rëndë integritetin tonë politik, por edhe njerëzor dhe nxit përçarje e mosdurim.

Të tre këto deklarime që Presidenti tha janë larg të vërtetës ngase as nuk ka pasur vendime selektive mbi baza politike në Qendrën e Studentëve për karantim, as nuk ka pasur sinjale nga organet kompetente për rrezik ndaj deputetit Pacolli dhe nuk ka asnjë dëshmi të bazuar që dikush të marrë guximin të thotë që kemi të bëjmë me ‘shtyrje në vetëvrasje’.

Përpjekja e Presidentit për të manipuluar politikisht vdekjen tragjike të një të riut tonë, pa i pritur as rezultatet e hetimeve zyrtare, është e patolerueshme në një shoqëri të civilizuar. I ndjeri dhe familja e tij nuk meritojnë një trajtim të tillë nga askush, lëre më nga një zyrtar i lartë shtetëror që, sipas Kushtetutës, do të duhej të përfaqësonte unitetin e popullit.

Akuza të tilla janë të rënda, dhe për to duhet marrë përgjegjësi. Është tej mase e trishtueshme të shihet se si Presidenti mundohet të përdorë dhimbjen dhe fatkeqësinë e dikujt tjetër, për të hedhur baltë mbi institucionet e vendit.

Presidenti, është duke mbuluar me turp postin që e mban, duke zvetënuar integritetin moral e shtetëror të figurës së Presidentit duke u kthyer në një zëdhënës të insinuatave të fabrikuara nga vet ai dhe rrjeti i ndikimit të tij ilegal. Ndjehet e dëshmohet se qytetarët në shumicë janë të distancuar nga një frymë e tillë përçarëse dhe jo rrallë edhe në mungesë të humanitetit.

@Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment