Liderët e subjekteve politike në Kosovë përkujtojnë Reçakun

Kryeministri Ramush Haradinaj sot ka bërë homazhe në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të Masakrës së Reçakut, e cila ndodhi më 15 janar 1999. Haradinaj ka vlerësuar se kjo masakër shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën e Kosovës për liri, përcjell Kabllogrami.

“Dy dekada më parë, një akt çnjerëzor tronditi ndjenjat e botës demokratike dhe mobilizoi Perëndimin, që me forcë ta ndalte shfarosjen e një populli të tërë. Masakra e Reçakut, dëshmia e krimit gjenocidal në Kosovë, shënoi momentin vendimtar të kthesës në luftën dhe përpjekjet tona për liri dhe pavarësi” tha mes tjerash Haradinaj në kujtim të kësaj barbarie serbe.

Edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj ka kujtuar masakrën e Reçakut me rastin e 20 vjetorit të saj. Ai ka thënë se kjo masakër është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i Serbisë për shqiptarët.

“20 vite me parë, në Reçak forcat policore serbe kryen një nga masakrat më të tmerrshme në Kosovë, e cila tronditi edhe opinionin ndërkombëtar. Në këtë ditë kujtojmë me pitet dhe krenari 45 qytetarë burra e gra, fëmijë e të moshuar të cilët u masakruan barbarisht nga ana e forcave serbe. Masakra e Reçakut është dëshmia më e mirë se cili ishte plani i shtetit serb për shqiptarët. Ata synonin shfarosjen, shkatërrimin dhe largimin e njerëzve tanë nga vendi ynë”, shkruan mes tjerash Limaj, përcjell KosovaPress.

Edhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka përkujtuar të rënët në masakrën e Reçakut, në 20 vjetorin e kësaj ngjarjeje të tmerrshme.

“Sot 20 vjet më parë, banorët e Reçakut u zgjuan të rrethuar nga forcat e regjimit serb dhe 45 banorë të pa armatosur të këtij fshati u masakruan pamëshirshëm po të njëjtin mëngjes. Të nesërmen, shefi i misionit të OSBE-së William Walker, pas një vizite nga afër, kishte deklaruar, ‘Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit!’, ka thënë mes tjerash Isa Mustafa.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se Reçaku është sinonim i fatit historik për shqiptarët si komb, sinonim i çmimit të lirisë, pavarësisë dhe shtetit të Kosovës.

Veseli tutje ka shtuar se: “Sot mund të mos jemi ende në gjendje për të vënë para drejtësisë ata që bënë masakrën e Reçakut, të Mejes, Rezallës, Studimes, Krushës, Prekazit, Suharekës, e që adresë dhe strehë e kanë Serbinë. Por, sot kur po flasim për dialogun e shumëpërfolur të muajve të fundit, as në Beograd më nuk po flitet për idenë e rikthimit të Serbisë në Kosovë. Në Beograd tani po flitet për formën se si Serbia ta njoh shtetin e Kosovës. Serbia është dëbuar, për të mos u kthyer kurrë më në Kosovë dhe meritat për këtë i keni ju qytetarë të pathyeshëm të Reçakut, i ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës, mbarë kombi ynë. Ndërsa, garancë, nga 15 dhjetori i vitit të kaluar është Ushtria e Kosovës”.

Po ashtu Veseli foli edhe për fillimin e punës së Gjykatës Speciale.

“Ne nuk kemi frikë nga ky ballafaqim. As nuk ikim prej tij. Ne do ta paguajmë edhe këtë çmim dhe si gjithmonë kemi me dalë faqebardhë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë, është e do të mbetet krenaria më e madhe e popullit tonë”, ka deklaruar Veseli.

Në homazhe siç kemi shkruar më herët, sot ishte i pranishëm edhe një delegacion i Lëvizjes Vetëvendosje. I pari i kësaj partie, Albin Kurti tha se drejtësia është aq e vonuar sa ende nuk ka filluar. Sipas tij për këtë masakër nuk është gjykuar asnjë polic apo ushtarak serb.

Albini ka thënë se Gjykata Speciale është e padrejtë, ku theksoi se Kosova ka nevojë për Gjykata vendore që të luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin.

Edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke kujtuar 20 -vjetorin e masakrës së Reçakut, ka thënë se sot duket edhe më e padrejtë moszbardhja e përgjegjësve të kësaj ngjarjeje.

‘Pa marr parasysh propagandën e luftën speciale të Serbisë për t’i minimizuar krimet, nuk duhet asnjëherë të harrojmë. Reçaku dhe masakrat e tjera duhet zbardhur e përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë’, ka shkruar mes tjerash Ahmeti në rrjetin social Facebook. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment