Loja me liberalizimin e vizave – tash rivlerësim të kritereve me shtete të veҫanta!?

Kriteret e liberalizimit, për të cilat Komisioni Evropian tashmë ka konstatuar të jenë përmbushur në tërësi, do të rivlerësohen sërish.

Qeveria e ka pranuar këtë duke hyrë në aranzhime me shtete të veçanta brenda Bashkimit Evropian. Kjo ndërmarrje, për të cilën kabineti i Haradinajt nuk ka ofruar sqarime, është vlerësuar të jetë e rrezikshme dhe kthim prapa në proces, shkruan Koha Ditore.

Njohësit e euro-integrimeve vlerësojnë se çfarëdo veprimi tjetër rreth vizave duhet kanalizuar ekskluzivisht nëpërmjet BE-së, e jo të parcializohet procesi duke bërë kthim të rrezikshëm prapa përmes shteteve të veҫanta anëtare të BE-së.

Zyra e kryeministrit, por as Ambasada e Gjermanisë nuk kanë dhënë sqarime se për çfarë protokolli bëhet fjalë, cilat kritere do të vlerësohen dhe sa do të marrë kohë. Edhe në Ministrinë e Integrimit kanë thënë se “duhet t’i drejtoheni Zyrës së kryeministrit për çështjet në të cilat keni pyetje shtesë”.

Derisa javën e kaluar kryeministri i ka quajtur protokolle bilaterale, merret vesh se do të krijohen grupe teknike për rivlerësimin e kritereve për heqjen e vizave. Deri tani një protokolli i tillë është nënshkruar me Gjermaninë, vend ky për të cilin Haradinaj ka thënë se i ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar liberalizimit të vizave. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment