May thërret deputetët britanikë: Më përkrahni ose do të mbesim në BE

Kryeministrja britanike, Theresa May aktualisht është duke u munduar që disa orë para votës vendimtare rreth Brexitit ta fitojë përkrahjen për planet e saj për largim të rregullt, duke i nxitur anëtarët skeptikë të Partisë së saj /Konservatore/ të votojnë marrëveshjen, sepse në të kundërtën Britania rrezikon të mos dalë fare nga Bashkimi Evropian.

Pak para se të votohet për marrëveshjen në parlament, May ka dështuar që ta sigurojë përkrahjen e fraksionit kryesor të partisë së saj, derisa Partia Demokratike Unioniste (DUP) e Irlandës Veriore, që mbështet qeverinë e saj të pakicës, ka bërë të ditur se do të votojë kundër, transmeton Koha.net.

Sidoqoftë, May e ka arsyetuar dhe elaboruar planin e saj si marrëveshje të mirë, krahasuar me alternativat tjera.

“Nëse kjo marrëveshje nuk kalon sonte, e humbim Brexitin”, ka thënë May në parlamentin britanik.

Përndryshe, largimi i Britanisë nga Bashkimi Evropian ka mbetur pezull të martën, pasi që koncesionet e siguruara nga Brukseli të kryeministres Theresa May nuk kanë arritur ta bindin deputetët britanikë, veçmas fraksionin kryesor të Partisë së saj Konservatore, vetëm disa orë para votës në parlament.

Në përpjekjen e fundit për një dalje nga qorrsokaku i shkaktuar prej Brexitit, në prag të 29 marsit, datës së caktuar nga Mbretëria e Bashkuar për largim nga blloku evropian, May ia kishte mësyrë Strasburgut të hënën, për t’u marrë vesh për garanca ligjore me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Sidoqoftë, prokurori i përgjithshëm, Geoffrey Cox ka thënë në një opinion të shkruar se garancat nuk e zgjidhin çështjen dhe se e lënë Mbretërinë e Bashkuar në orbitën e bllokut edhe pas Brexitit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment