Teatri kombëtar në Tiranë mollë sherri për përplasje pozitë – opozitë

Teatri kombëtar në Tiranë sipas planeve për rregullimin urbanistik të kryeqytetit është paraparë të rrënohet dhe të ndërtohet një tjetër edhe më i madh dhe me kushte e infrastrukturë komplete. Ky është qëndrimi i pozitës shqiptare të cilët arsyetojnë se objekti është  i vogël e i vjetër që nuk i plotëson kushtet për veprimtari teatrore të mirëfilltë, derisa një grup artistësh, nostalgjikë dhe me qëndrim për ruajtjen e këtij objekti si trashëgimi kulturore, dhe të mbështetur fuqishëm nga opozita shqiptare për shkaqe politike, janë duke e kundërshtuar ashpër rrënimin e teatrit.

Teatri Kombëtar në Tiranë është bërë sërish shkak, të mërkurën /dje/, për përplasjen mes një grupi artistësh të ndihmuar nga militantҫ opozitarë dhe forcave të Policisë Shqiptare.

Që në orët e para të mëngjesit policia kishte rrethuar institucionin, dhe artistët denoncuan se ishin dhunuar nga policia për t’u larguar dhe për t’ua liruar hyrjen disa punonjësve të administratës që ishin ngarkuar me procesin e inventarizimit të materialeve, shkruan sot “Koha Ditore”.

Artistët kërkuan të hynin brenda për të parë se çfarë po ndodhte brenda ambienteve të Teatrit, por ata nuk u lejuan nga policia. Kjo shkaktoi disa herë përplasje dhe tensione mes policisë dhe protestuesve.

Të ndodhur në këto kushte, regjisori Edmond Budina, mes emocioneve dhe dridhjes së zërit kërkoi ndihmën e të gjithëve për të mos lejuar prishjen e Teatrit Kombëtar. “Nuk mund të dhunohet ky tempull. Ky vend është i shenjtë. Teatri i ri të bëhet diku tjetër. Ju lutem na mbështetni, është vlera jonë. Po i ruajmë institucionet nga vjedhja e oligarkëve”, tha Budina.

©Kabllogrami

Comments (0)
Add Comment