Veseli i del krah Haradinajt: Paralajmëron reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se taksa ndaj Serbisë nuk do të hiqet, ndërsa ka paralajmëruar masa reciprociteti në çdo fushë në rast të vazhdimit të agresionit të Serbisë.

“Taksa 100% ndaj Serbisë nuk do të hiqet. Madje nëse Serbia do të vazhdoj me sjelljet agresive ne do t’i shtojmë masat dhe do të kalojmë në reciprocitet të plotë me shtetin serb në çdo fushë. Taksa është vendosur në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës. Partnerët tanë strategjik dhe të përhershëm, SHBA-të, nuk kanë kërkuar heqjen e taksës sepse ata nuk duan ta dëmtojnë dinjitetin e shtetit të Kosovës. Aleatët tanë kërkojnë që ne të dialogojmë për ta arritur marrëveshjen finale që është njohja e Kosovës nga Serbia dhe ulësja në OKB”, ka thënë Veseli në televizionin A2 CNN Albania.

Kryeparlamentari kosovar ka folur për veprimet agresive të shtetit serb që kanë çuar në vendimin e Kosovës për vendosjen e taksës 100%.

“Ne do t’ia bëjmë me dije çdo ditë Serbisë që pa e respektuar shtetin e Kosovës nuk mund të pres heqje të taksës. Ne do të vazhdojmë me reciprocitet të plotë. Ata i bllokojnë mallrat e Kosovës ne i bllokojmë mallrat e Serbisë. Ata nuk na i njohin targat e automjeteve, ne po ashtu nuk do të njohim targat serbe. Ata nuk i njohin vulat e shtetit të Kosovës, ne nuk i njohim tani vulat e Serbisë. Pra do të shkojmë në reciprocitet të plotë dhe taksa 100% do të mbetet varësisht si sillet Serbia”, tha Veseli.

Kreu i PDK-së i ka siguruar qytetarët e Kosovës se nuk do të ketë asnjë veprim që mund të dëmtoj raportet Kosovë – SHBA. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment