Liga e kampionëve: Tottenhami dominon Dortmundin

Tottenhami ka shënuar fitore, mbase përcaktuese për kualifikimin tutje, ndaj Dortmundit në 1/8 e finales në Ligën e Kampionëve, duke rritur gjasat për ta vazhduar tutje në këtë garë, raporton Kabllogrami.

Ekipi londinez shënoi fitore prej 3 me 0 në Wembley, ndonëse pjesa e parë e takimit foli në dobi të mysafirëve gjermanë, por në të dytën Tottenhami ndërroi taktikën e lojës që dha frytet e saj.

Në pjesën e parë asnjëra prej skuadrave nuk arriti të gjejë rrugën e golit, por në pjesën e dytë Tottenhami ishte shumë efikas, duke shënuar tre herë.

Son Heung-Min shënoi golin e parë në minutën e 47, pas asistimit nga Vertonghen që shënoi golin e dytë në minutën e 83.

Golin e fundit e shënoi Llorente kur po luhej minuta e 86 e takimit.

Ndeshja e kthimit luhet më 5 mars në Gjermani, me gjasa minimale për Dortmundin për të rikthyer rezultatin, por siç thuhet, shpresa vdes e fundit dhe mbetet t’i presim edhe 90 minuta të ndeshjes së kthimit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment