Qeveria shkarkon Rikalon si kusht i PSD-së për votimin e buxhetit

Qeveria ka shkarkuar ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalon, pasi këtë e kërkoi si kusht PSD-ja për votimin e buxhetin 2019 dhe jo për shkak të skandaleve të shumta të tij ku spikatin shumat milionëshe që dyshohet se u keqpërdorën nga Rikalo në grantet për bujqësi etj, raporton Kabllogrami.

Një “masë e veçantë” e Ministrisë së Bujqësisë i ka dërguar jashtëligjshëm tre milionë euro të shtetit tek disa biznese, prej të cilave ka edhe që për aksionarë kanë njerëz të lidhur me politikën.

Dizajni i masës ishte bërë në atë formë për t’iu përshtatur bizneseve që duhej përfituar.

Në një hulumtim të gazetës “Koha Ditore” për disa muaj, janë gjetur një mori shkeljesh që Ministria e Bujqësisë në krye me Rikalon, i kanë bërë kur i kanë ndarë grantet.

Muaji maj i vitit të kaluar, i nxori në publik përplasjet mes Rikalos dhe kryeshefit të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, Elhami Hajdari.

Ky i fundit, pretendonte se Rikalo po i hakmerrej shkaku i një granti që nuk kishte lejuar të përfundonte të një prej bizneseve, në të cilin ishte e përfshirë gruaja e ministrit, e Rikalo pretendonte se i kishte shpëtuar bujqit nga korrupsioni me largimin e Hajdarit.

Haradinaj përmes Facebookut ka njoftuar për shkarkimin e tij, duke e cilësuar si ministër të respektuar në qeveri.

“Sot kam marrë vendim dhe kam liruar nga detyra Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo. I shprehi falënderim për bashkëpunim gjatë kohës sa ishte aktiv si ministër në Qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

“Në proceset politike para vetes, do të respektoj angazhimin e secilit. Ministri Rikalo ishte ministër i respektuar në Qeverinë e Republikës së Kosovës” ka thënë mes tjerash Haradinaj.

Në ndërkohë, po flitet se ministri i ri i Bujqësisë nuk do të jetë nga Lista Serbe. Radio Televizioni i Serbisë (RTS) ka marrë vesh jo zyrtarisht se pritet që ministër i ardhshëm i Bujqësisë të jetë Boban Stankoviq nga Partia e Pavarur Liberale, i cila para disa ditëve u ndal në pikë-kalimin kufitar në Merdare ku për disa orë u mor në pyetje dhe u maltretua nga policia dhe BIA serbe.

Kryetari i Partisë së Pavarur Liberale është Sllobodan Petroviqi që kohë më parë, edhe ai ishte ndaluar në pikën kufitare të Merdarit nga policia dhe BIA e Serbisë ku ishte marrë në pyetje për aktivitetin e tij politik në Kosovë.

Pasuesi i përfolur si pasardhës i Rikalos, Boban Stankoviq, aktualisht mban pozitën e zëvendësministrit të kulturës, rinisë dhe sportit. /©Kabllogrami/

Comments (0)
Add Comment