Kosovarët nuk e duan ndryshimin e kufijve
Qytetarët e Kosovës janë në favor të përmbylljes së dialogut me Serbinë, por jo me çmimin e ndryshimit të kufijve të vendit. Kështu konkludon një hulumtim i opinionit, i kryer nga Instituti Kombëtar Demokratik i Amerikës (National Democratic Institute – NDI) në fund të muajit mars të këtij viti.
Sipas rezultateve të hulumtimit të NDI-së amerikane, për shumicën e të anketuarve ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është çështja prioritare në dialogun e Brukselit. Kështu, nga përgjigjet e ofruara, 46 për qind e të anketuarve kanë thënë se integriteti territorial i Kosovës nuk duhet të sakrifikohet për arritjen e një marrëveshjeje me Serbinë.
Një numër edhe më i madh (71.6 %) është shprehur në favor të ruajtjes së territorit të Kosovës, edhe nëse kjo do të thotë një proces më të zgjatur të integrimit të vendit në BE, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërsa, vetëm 20.6 për qind e të anketuarve janë pajtuar se duhet shqyrtuar mundësinë e heqjes dorë nga një pjesë e territorit nëse kjo nënkupton njohje nga Serbia dhe anëtarësim në OKB. 49.6 për qind e të anketuarve kanë thënë se shkëmbimi i territoreve do të shkaktonte largimin e minoriteteve dhe do të dëmtonte karakterin multietnik të Kosovës.
Respondentët janë shprehur në favor të përfshirjes më të madhe të SHBA-së dhe BE-së, ndërsa kanë shprehur përkrahje të lartë për idenë që SHBA-ja dhe BE-ja të mbeten fuqishëm në mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. 74 për qind e të anketuarve kanë thënë se “SHBA-ja dhe BE-ja duhet të mbeten të vendosura në ruajtjen e integritetit të tanishëm territorial dhe të sovranitetit të Kosovës”. 79 për qind kanë thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet të luajnë një rol më të madh në procesin e arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, derisa vetëm 37 për qind kanë thënë se SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i lejojnë Kosovën dhe Serbinë që vetë ta arrijnë një marrëveshje. /©Kabllogrami/