Deklarata që e la Gent Cakajn pa u bërë Ministër i Jashtëm

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, nuk ka pranuar ta dekretojë të riun nga Prishtina, Gent Cakajn, kryediplomat të Shqipërisë. Meta e ka quajtur Cakajn të papërvojë, ndërsa në arsyetimin e mosdekretimit ka përmendur edhe deklaratat e tij pro korrigjimit të kufijve të Kosovës, gjë që ka bërë që presidenti shqiptar ta vlerësojë si të papërgjegjshëm për një post të tillë. Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme.

Meta, në letrën e tij, i ka shpjeguar Edi Ramës pse e refuzoi emërimin e Cakajt, ministër për Evropë dhe Punë të Jashtme.

Sipas Metës, Cakaj në angazhimin e tij si zëvendësministër i së njëjtës ministri ka treguar mungesë përvoje.

Tutje, qëndrimi i Cakajt për temën e korrigjimit të kufijve të Kosovës është marrë nga Meta si papërgjegjshmëri dhe arsye e fortë për mosdekretim të tij.

“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme”, thuhet në letër të Metës, përcjell Kabllogrami.

Këtë qasje të Cakajt, Meta e ka konsideruar si destruktive dhe të rrezikshme. Prandaj, ai ka refuzuar që të dekretojë të riun nga Kosova si kryediplomat të Shqipërisë.

Gent Cakaj ishte fillimisht këshilltar i Kryeministrit Rama, me shumë gjasa pas kumbarisë së sekserit veri-jug, Baton Haxhiut, dhe më pas zv/ministër i jashtëm.

Nga ana tjetër, Meta akoma nuk e ka dekretuar as shkarkimin e Bushatit. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë