Edhe në ditët në vijim temperatura të larta në Kosovë

Sipas njoftimit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, masat e nxehta të ajrit të ardhura nga Afrika Veriore, vetëm sa janë duke u fuqizuar e duke e mbajtur grafikun e temperaturave maksimale njëjtë me ditët e fundit, përcjell Gazeta Online Kabllogrami.  

“Kjo gjendje termike ka përfshirë edhe vendet fqinje, si Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe pjesët tjera të Evropës Juglindore”, thuhet në njoftim.

Sipas Institutit, derisa sot maksimalet arritën në 33-35 gradë Celsius, fundjava dhe fillimi i javës së ardhshme parashihet të jetë edhe më e nxehtë, por jo me temperatura sikur u regjistruan në Francë dhe disa vende tjera të Evropës.

“Temperaturat minimale gjatë këtyre dy ditëve do të mbeten konstante me ditët e fundit. Minimalet ndërmjet 15-17 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 33-35 gradë Celsius”, thuhet tutje në njoftim.

Shtypja atmosferike mbetet mbi vlerat e normales. Indeksi UV në kufijtë e rrezikut. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga verilindja dhe jugperëndimi.

Kushtet biometeorologjike nuk do të jenë të favorshme për asnjë shtresë të popullatës, që nënkupton se shmangja nga rrezet e diellit nga ora 9-17 do të ishte e preferueshme. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë