Engel ‘selam’ Serbisë: Merrni seriozisht fjalët e ambasadorit gjerman, pa e njohur Kosovën s’ka BE

Kongresmeni amerikan, Eliot Engel, njëherit drejtues i Komitetit për punë të jashtme në Kongres, i ka dhënë një porosi të qartë Serbisë, duke i thënë se pa e njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, nuk mund të integrohet në Bashkimin Evropian.

Engel këtë e ka bërë indirekt, duke e porositur Serbinë, që ta trajtojë me shumë kujdes fjalimin e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit.

“Serbia duhet t’i trajtojë me shumë kujdes fjalët e ambasadorit gjerman Christoph Heusgen në Këshillin e Sigurimit të bëra të enjten, sepse nuk do të mund të integrohen në Bashkimin Evropian derisa nuk e njohin Kosovën”, ka thënë Engel.

Citimi i ambasadorit gjerman në OKB nga Engel dhe jo atij amerikan prej nga vjen Engel, mbase mund të interpretohet si kundërshti e tërthortë ndaj ambasadorit të ri amerikan në OKB, i cili kishte një fjalim të vakët për Kosovën që gjasonte me të dërguarin e OKB-së për Kosovën. Me shumë mundësi ambasadori i ri amerikan është vendosur aty nga Boltoni, që e kundërshtonte shpalljen e pavarësisë së Kosovës, prandaj edhe ky diskurs nënçmues nga Engel ndaj tij mund të vetkuptohet.

Ambasadori gjerman në Këshill të Sigurimit e kishte goditur fortë fushatën e Ivica Dacicit kundër njohjeve të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Ai kishte thënë se nuk e kupton një fushatë të tillë të Serbisë, kur për pavarësinë e Republikës së Kosovës ka dhënë mendim edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe se pa e njohur Kosovën, Serbia s’mund të anëtarësohet në BE.

Ambasadori gjerman gjithashtu ka bërë të qartë qëndrimin e prerë të Gjermanisë kundër idesë për korrigjim të kufijve. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë