Feronikeli sot luan për të bërë histori, kapiteni Lladrovci flet për premitë e ofruara

Kampioni i Kosovës, të martën (sot, 20:45), në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, pret kampionin e Uellsit, The New Saints në ndeshjen kthyese të këtij raundi. Ndeshja e parë u mbyll 2:2 dhe kjo besohet se i jep më shumë gjasa ekipit kosovar, pasi pos fitores i mjaftojnë edhe dy barazime për të shkuar tutje, 0:0 dhe 1:1.

Trajneri i Feronikelit, Zekirija Ramadani, nuk ka premtuar fitore e as lojë të bukur, thjesht ka premtuar angazhim të lojtarëve sa për të kaluar raundin e parë eliminator të Ligës së Kampionëve.

Në rast se arrin të kualifikohet në raundin e dytë, aty ku deri më tash nuk ka luajtur asnjë skuadër kosovare, atëherë Nikli do të përballet me kampionin e Danimarkës, Copenhagen, shkruan sot Koha Ditore.

“Feronikeli do të luajë vetëm për ta kaluar raundin e parë eliminator, nuk do të kërkojë fitoren e as nuk do të mundohemi të luajmë lojë të bukur dhe pastaj të eliminohemi. TNS-ja, nuk ka çfarë të humbë, kurse ne kemi të dy rezultatet në favorin tonë. Neve na intereson vetëm kualifikimi në raundin e dytë”, ka insistuar trajneri Ramadani, në konferencën për media të hënën.

Ai ka insistuar se Feronikeli ka kualitet dhe mund ta bëjë hapin e madh në ndeshjen e kthimit, duke vazhduar tutje në Ligën e Kampionëve pas barazimit në ndeshjen e parë. Feronikeli ndodhet në një situatë të mirë para ndeshjes kthyese, pasi në ndeshjen e parë në pesë minutat e fundit shënoi dy gola për të barazuar shifrat në 2:2.

Përveç se mund ta shkruajnë historinë në futbollin kosovar, lojtarët e Feronikelit mund edhe t’i pasurojnë llogaritë e tyre bankare nëse kalojnë në rundin e dytë kualifikues në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në sezonin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

Kapiteni Lapidar Lladrovci e ka zbuluar shumën e premive për çdo raund që ai dhe bashkëlojtarët e tij do ta përfitojnë nëse i ndihmojnë Niklit ta kalojë në rrugë drejt sigurimit të pjesëmarrjes në garën më prestigjioze evropiane për klube.

“Kryetari (Naser Ramaj) na ka premtuar 25 për qind të çdo shumë së fituar nga klubi në Ligën e Kampionëve, por ne nuk e kemi përqendrimin këtu”, tha Lladrovci.

Feronikeli do t’i firojë 280 mijë euro nga UEFA nëse kalon në rundin e dytë kualifikues.

Kjo nënkupton se 70 mijë prej tyre do t’iu takonin lojtarëve, bazuar në premtimin e dhënë nga presidenti i Feronikelit. Kjo i bie që lojtarët do të përfitonin nga 2500-4000 euro secili. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë