Duke u thirrur në burime të saj në ministrinë e jashtme, KTV-ja tha që Alma Lama e prezantoi Kosovën si shtet islamik. Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama ka reaguar menjëherë pas këtyre raportimeve të KTV-së, se është larguar nga kjo pozitë për shkak se e kishte paraqitur Kosovën si shtet islamik, transmeton Kabllogrami.
Përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Lama e ka përgënjeshtruar lajmin me një reagim të ashpër ndaj KTV-së dhe “burimeve të saj anonime” duke kërcënuar se do t’i drejtohet gjykatës për këto shpifje të ulëta.
Në vijim mund ta lexoni të plotë postimin e Alma Lamës në Facebook, pa ndërhyrje redaksionale:
“Genjeshtra e ulet e KTV
KTV sonte beri shpifjen me te ulet ndaj meje qe eshte bere ndonjehere.
Duke shpikur nje burim anonim ne MPj se gjoja une e paskam “paraqitur Kosoven si shtet islamik”. Ku i keni faktet????
E pabesueshme gjithe kjo urrejtje ndaj meje e Flaka Surroit dhe medias se saj!
Ka dy vjet qe ben fushate shpifjesh te qellimshme pa asnje fakt.
Agjenden e tyre dhe “burimin anonim” ka vetem nje menyre per ta ndalur: gjykata!!
Po keshtu e ftoj publikisht MPJ-ne te reagoje ndaj shpifjes”, ka thënë Lama në fund të postimit të saj.
Për rikujtim të përmendim se, me datën 23 nëntor të këtij viti, Presidenti Thaçi kishte urdhëruar tërheqjen e Alma Lamës nga misioni diplomatik në Romë.
“Urdhërohet tërheqja nga Misionit Diplomatik i znj. Alma Lama, ambasadore/shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë”, thuhet në dokument.
Alma Lama u emërua ambasadore e Kosovës në Itali më 2016, si pjesë e pazarit me votën e saj, sa ishte deputete LDK-së, për ta zgjedhur Hashim Thaçin president të Kosovës. /©Kabllogrami/