Ulje e theksuar e temperaturave në Kosovë, priten rrufe me reshje shiu e breshëri

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat gjatë ditës do t’i ndryshojnë stadet e tyre duke u intensifikuar dhe duke krijuar kushte për reshje shiu dhe shkarkime rrufesh. Reshjet në vende të lokalizuara mund të kalojnë në formë breshnize apo dhe breshëri.

Ka ndryshuar situata sinoptike mbi gjithë territorin e vendit. Kjo si pasojë e masave të ajrit me origjinë nga verilindja, masa të cilat do të ndikojnë dukshëm në rënien e temperaturave në të dy vlerat ekstreme.

Ky aktivitet në atmosferë do të mundësoj që vlerat e temperaturave maksimale të bien për 7-10 gradë celsius, derisa minimalet parashihen të ulen për 3-4 gradë celsius.

Përveç ndryshimeve në fushat termike, do të ketë luhatje edhe në fushat barike, duke kushtëzuar mot me vranësira dhe intervale me diell.

Temperaturat maksimale gjatë ditës së sotme parashihen të lëvizin ndërmjet 26-27 gradë celsius, ndërsa minimalet parashihen të lëvizin ndërmjet 15-16 gradë celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1-12 m/s.

Sa i përket kushteve biometeorologjike, ato do të jenë më të favorshme se javën që e lamë pas, por kujdesi i veçantë i kontaktit me diellin duhet kushtuar mesditave, në ato vende ku kupa e qiellit është e lirë nga retë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë