Albini citon Edita Tahirin kur i shkruante Mogherinit: “Projekti për shkëmbim territoresh vjen nga Rusia dhe Serbia”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ideja për shkëmbim territoresh është projekt që vjen nga Serbia dhe Rusia.

Kurti, përmes një statusi nё faqen e tij zyrtare nё rrjetin social Facebook, ka cituar një letër të ish kryenogociatores Edita Tahirit, dërguar Përfaqësueses të lartë të BE-së, Federica Mogherinit, ku theksohet se ideja për ndryshim të kufijve në rajonin e Ballkanit është skenarë i ndikuar nga Rusia.

Nё vijim mund ta lexoni tё plotë postimin e Albinit me titull ‘North by North-East’:

“North by North-East

Znj. Tahiri e patëm kundërshtuar e kritikuar me të drejtë përgjatë dialogut 2011-2017 me Serbinë. Mund të jetë vetëm më keq sesa që e thotë ajo në këtë letër që sot i mbushi një vit e gjysmë. Aventura personale e presidentit të Kosovës gjithsesi nuk është edhe projekt personal. Ky projekt vjen nga Serbia e Rusia, pra nga veri-lindja, në kontrast me aleancën e veri-perëndimit, NATO-n.

Në letrën e saj dërguar znj. Mogherini e që mban datën 6 korrik 2017, ish ministrja pa portofol dhe ish kryenegociatorja e Kosovës, znj. Edita Tahiri, ndër të tjera shkruan edhe këtë: ‘Serbia gjithashtu u përpoq të luante disa skenarë të natyrës gjeopolitike duke promovuar idetë e ndryshimit të kufijve në rajon dhe këmbimin e territoreve, të cilat dukej se ishin ndikuar nga Rusia dhe ambiciet e saj për të rikthyer ndikimin e saj, të humbur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Këto janë skenarë mjaft të rrezikshëm, të cilët kundërshtohen nga Kosova dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke qenë se pozicioni ynë i përbashkët strategjik është rreshtimi me botën Perëndimore dhe me komunitetin Euro-Atlantik’”, ka shkruar Kurti duke e cituar ish kryenegociatoren Edita Tahiri nё dialogun me Serbinё, nё letrёn qё kjo e fundit ia kishte dёrguar znj. Mogherini mё 06 Korrik 2017 dhe aventurёn personale tё presidentit Thaçi duke çuar para idetё ruso-serbe pёr ndryshim kufijsh tё Kosovёs, qё vjen nё kurndёrshti tё plotё me atё qё kryenegociatorja Tahiri i shkruante Mogherinit njё vit e gjysmё mё parё. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë