Gjukanoviq: Kujdes, bisedimet për kufij, me efekt domino për rajonin

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, konsideron se përparimi në gjithë Ballkanin Perëndimor është i rrezikuar dhe se “nervozizëm të veçantë” krijojnë, sipas tij, negociatat e reja midis presidentëve të Kosovës dhe Serbisë me idenё absurde pёr ndryshim tё kufijve.

Në një intervistë dhënë kohë më parë për gazetën franceze “Le Figaro”, Gjukanoviqi thotë se shkëmbimi eventual i territoreve midis Kosovës dhe Serbisë është një risi e plotë, andaj, shton ai, duhet pasur kujdes që të mos krijohet ndonjë precedent që do të nxiste efektin domino në rajon, shkruan televizioni publik i Malit të Zi, raporton Koha.net.

“Kjo temë për kohë të gjatë ka qenë tabu, sepse na i ka kujtuar përvojat e këqija nga vitet ‘90. Pas përfundimit të luftërave, në rajon është folur më shumë për multikulturalizmin dhe demokracinë multientike. Është e vërtetë që disa kryeqytete perëndimore e kanë ndryshuar mendjen e tyre”, thotë Gjukanoviqi.

Ai e sheh si kërcënim për Ballkanin edhe përkeqësimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kroacisë. Presidenti malazez tha po ashtu se marrëdhëniet e shtetit të tij me Rusinë aktualisht janë më të këqijat ndonjëherë.

“Gjithmonë kemi qenë të afërt me Rusinë, si historikisht, ashtu edhe kulturalisht. Megjithatë, marrëdhëniet tona janë përkeqësuar dukshëm viteve të fundit. Mund të them madje se janë në nivelin më të keq ndonjëherë”, ka thënë Gjukanoviqi. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë