Albini: S’është dënuar ende asnjë polic apo ushtarak serb për masakrën e Reçakut 

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha sot kujtesa e shqiptarëve është e freskët për masakrën e Reçakut edhe 20 vjet pas saj. “Më 10 qershor të vitit 2005, bashkë me banorët e fshatit Reçak dhe me familjarët e martirëve e patëm vënë përballë UNMIK-ut një çarçaf me emrat e njëzet kriminelëve serbë të cilët ishin ekzekutorë të shqiptarëve në Reçak më 15 janar të vitit 1999. Ende, as drejtësia vendore dhe as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë mizore popullsinë civile të pambrojtur e të paarmatosur”, ka thënë Albini, përcjell Kabllogrami.

Kurti theksoi se masakra e Reçakut e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore që të ndërhyjë NATO-ja kundër Jugosllavisë së Milosheviqit, duke e kuptuar të gjithë atë që ne e dinim kaherë, se Serbia e kupton vetëm gjuhën e forcës.

Në vijim mund të lexoni të plotë postimin e Kurtit në faqen e tij të rrjetit social Facebook:

“Kujtesa jonë është e freskët për masakrën e Reçakut edhe 20 vjet pas saj. Pamjet ishin aq të tmerrshme saqë ne tronditemi prej tyre edhe sot e kësaj dite. Drejtësia është aq e vonuar saqë ajo ende nuk ka filluar. Nuk është gjykuar e dënuar asnjë polic apo ushtarak serb për këtë krim të pashembullt.

Më 10 qershor të vitit 2005, bashkë me banorët e fshatit Reçak dhe me familjarët e martirëve e patëm vënë përballë UNMIK-ut një çarçaf me emrat e njëzet kriminelëve serbë të cilët ishin ekzekutorë të shqiptarëve në Reçak më 15 janar të vitit 1999. Ende, as drejtësia vendore dhe as ajo ndërkombëtare nuk kanë vepruar për t’i vënë prapa grilave ata kriminelë të cilët goditën në mënyrë mizore popullsinë civile të pambrojtur e të paarmatosur. Masakra e Reçakut e ndërgjegjësoi opinionin publik ndërkombëtar dhe diplomacinë botërore që të ndërhyjë NATO-ja kundër Jugosllavisë së Milosheviqit, duke e kuptuar të gjithë atë që ne e dinim kaherë, se Serbia e kupton vetëm gjuhën e saj, pra gjuhën e forcës.

Sot, dy dekada më vonë, ne përulemi me respekt e me dhimbje, por edhe me krenari, për martirët dhe dëshmorët e kombit në përgjithësi dhe posaçërisht për ata këtu në Reçak. Familjarët e të vrarëve janë po ashtu viktima dhe çdo ditë që kalon është ditë e padrejtësisë për ta. Dëshmorëve dhe martirëve të kombit si dhe familjeve të tyre ne si qytetarë, si politikanë, si përfaqësues, si aktivistë iu kemi shumë borxh. Lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit shqiptar!”, ka thënë Albini në fund të postimit të tij. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë