Filharmonia e Kosovës tashmё ёshtё pjekur siç i ka hije, i mungon veç objekti adekuat

Tё hёnёn mё 26 Nёntor, me fillim nё ora 20:00, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka sjellë para publikut nё kryeqytet, një program të veçantë e të larmishëm, me dy vepra të kompozitorëve kosovarë si dhe vepra të kompozitorëve të huaj, qё kanё kёnaqur publikun qё kishte mbushur plot Sallёn e Kuqe tё Pallatit tё Rinisё nё Prishtinё, bёn tё ditur Kabllogrami

Mbrёmja e muzikёs klasike nisi me veprat franceze të kompozitores e pianistes Françoise Chevaux që në Prishtinë kishte ardhur me ftesë të Filharmonisë së Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë. Derisa dirigjenti Oscar Rubilar, ndonёse i ri nё moshё, ishte nё krye tё detyrёs dhe dëshmoi se është një dirigjent me perspektivë tё ndritur.

“Simfonia Indigo Op.2- për orkestër harkore” eci nëpër një ritëm të qetë e depërtues. Vepra e cila erdhi premierë në Prishtinë është luajtur më parë nga orkestra të Frances, Brazilit e Rusisë. Kompozitorja këtë vepër e kishte shkruar në një fshat të quajtur Flandres, menjëherë pas kthimit nga studimet që i kishte përfunduar në New York. Kjo dëshmon se ajo në çdo partiturë ka vendosur emocionet e saj të udhëtimeve e është dhënë fort pas muzikës kamertale, shkruan KultPlusi.

Kompozitorja e pianistja Françoise Chevaux interpretoi veprën e saj “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër”, duke lënë në Prishtinë lojën e saj të fundit si pianiste, pasi siç bёri tё ditur Drejtori i Filharmonisё sё Kosovёs, Baki Jashari – gjatё pёrshёndetjes qё i bёri publikut, kompozitorja e pianistja Françoise Chevaux me këtë interpretim ka përmbyll karrierën e saj pianistike, por jo edhe atё tё kompozitores.

Pianistja e kompozitorja Chevaux ishte e zhytur tërësisht në lojën e veprës së saj dhe dëshmoi një teknikë precize nё komunikim të saktë me orkestrën. Loja e harkorëve dukej sikur ishte e paraparë të ngjante fluska më të dendura të borës, e duke krijuar një atmosferë dimri, ashtu siç e kishte bёrё tё ditur, vet pianistja e kompozitorja njё ditё mё parё nё konferencё pёr media.

         Foto: Në piano Françoise Chevaux – KultPlus.com

“Kjo orkestër është e mrekullueshme dhe luan në mënyrë të natyrshme. Ishte kënaqësi të luaja me ta sonte, ishte një nga bashkëpunimet më të rralla. Këtu atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe çka më gëzon më së shumti është prania e shumë të rinjve”, ёshtё shprehur pianistja franceze Chevaux, raporton Kult.Plus.

Poema dramatike “Skënderbeu” e shkruar para 50 vitesh më parë nga Fahri Beqiri, në shënim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut , mbrëmë erdhi në nderim të figurës së Skënderbeut në 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Vepra e Fahri Beqiri është një vepër shumë e popullarizuar dhe e afërt që përputhet me tematikë orientale që shpreh një jetë të vështirë me shumë vuajtje e pasoja për popullin shqiptarë, por nё fund shpёrthen me triumfin e pavarësisë.

Pas interpretimit të veprës, para të pranishmëve doli vet kompozitori Beqiri i cili përshëndeti publikut dhe i emocionuar dukshёm bёri me duar simbolin e shqiponjës.

Nё pjesёn e dytё tё Programit erdhi vepra e shkёlqyer me dramaticitet tё theksuar “Dhimbja Simfonike” e kompozitorit kosovar Mendi Mengjiqi, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.

Krejt në fund tё koncertit, orkestra solli frymën e Brahmsit në interpretimin e veprës “Uvertura Tragjike Op.81”, të cilën kompozitori gjerman e kishte shkruar në verën e vitit 1880.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë këtë vit me Koncertin e Vitit të Ri që do të mbahet më 23 dhjetor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.*

*Pёr punimin e kёtij shkrimi ёshtё pёrdorur materiali lidhur me kёtё ngjarje nga portali KultPlus.com i autorit Gili Hoxhaj.

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë