Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) në takimin urgjent të mbajtur sot pas bojkotit total të avokatëve ndaj institucioneve të drejtësisë, ka vendosur që të rishikojë vendimin për ndalesën e avokatëve nëpër gjykata, duke arsyetuar se kjo ka qenë e keqkuptuar dhe se avokatët kanë të drejtë të futen në objektet e gjykatave, transmeton Kabllogrami.
Këshilli Gjyqësor do të hartojë rregulla të reja për qasjen e avokatëve në objektet e gjykatave të vendit. Kryesuesi i Këshillit, Nehat Idrizi, ka thënë se nuk duhet të lejohet komunikimi i shpeshtë i gjyqtarëve me avokatë gjatë trajtimit të lëndëve, për shkak së mund të ketë dyshime për ndikime.
“Qëllimi i këshillit në veprimet e tyre të mëhershme nuk mund të jetë të kufizojë qasjen e palëve në sistemin gjyqësor. Ne kemi obligim kushtetues dhe ushtrojmë sigurimin e standardeve që ruajnë integritetin e gjyqësorit”.
“As këshilli dhe as gjykatat nuk kanë ndërmend që të marrin masa që cenojnë qasjen e palëve në sistemin e gjyqësorit. Kundrejt të gjitha palët kanë të drejtë qasje. Kanë qenë dhe duhet të kenë qasje në zyrat ku bëhen shtresat dhe parashtresat. Avokatët duhet të kenë qasje të pakufizuar, ashtu edhe avokatët mbrojtës”.
“Dje kam pas takim me kryetarin e Odës Avokatëve, e kam njoftuar për hapat që do t’i ndërmarrim, nuk është qëllimi të kufizohet qasja e avokatëve, por qëllimi ka qenë të pengohen keqpërdorimet e jo qasja e avokatëve”. /©Kabllogrami/