Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, po konsideron se një deklaratë e fundit e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, është atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë, përcjell Kabllogrami.
Ai është zotuar se do të ndërmarrë çdo veprim kushtetues e ligjor për të ruajtur sovranitetin e integritetin territorial të Kosovës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, dje kishte deklaruar se nuk i njeh kufijtë e Kosovës së pavarur ashtu siç i kanë njohur paraardhësit e tij (presidentët e Serbisë para tij), dhe se ky është sipas tij, kinse dallimi i tij me ta.
Ky është reagimi i plotë i Haradinajt:
Deklaratat e fundit kërcenuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. /©Kabllogrami/