Kushtet e LDK-së për përfshirje në dialog

Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës parashtron kritere dhe kushte të veçanta sipas së cilave, ajo do të mund të përfshihej eventualisht në kuadër të procesit të negociatave me Serbinë, raporton sot Radio Evropa e Lirë, përcjell Kabllogrami.

Para së gjithash, LDK-ja, sipas zyrtarëve të saj, kërkon që Ekipi negociues të ketë një legjitimitet të plotë institucional e kushtetues në Kosovë dhe së dyti, që negociatat t’u përmbahen parimeve të vendeve të Quint-it, duke preferuar që aty garantuese të procesit të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anëtarët e Ekipit negociator të Kosovës pritet që më 8 janar të kenë një takim në Bruksel me zyrtarët e Bashkimit Evropian për t’i informuarar ata me ecurinë e përgatitjeve në Kosovë për procesin e dialogut me Serbinë.

Pjesë e këtij ekipi nuk pritet të jenë përfaqësuesit nga dy partitë opozitare, përkatësisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, tha për Radion Evropa e Lirë, se LDK-ja pavarësisht kërkesave të ndryshme që të jetë pjesë e dialogut, nuk ka ndryshuar mendje.

“Ne legjitimitetin politik nuk mund t’ia japim [Qeverisë dhe Ekipit negociator] sepse ai nuk falet, legjitimiteti politik ose fitohet me zgjedhje ose me marrëveshje politike”, theksoi Haziri.

Haziti theksoi se kohëve të fundit kanë pasur takime me përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë, dhe se askush nuk mund ta shohë LDK-në jashtë procesit të arritjes së një marrëveshjeje finale në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ekipi negociues i Kosovës ka në përbërje përfaqësues të Qeverisë, apo partive të koalicionit qeverisës, si dhe përfaqësues të subjektit opozitar Partia Socialdemokrate. Ky ekip ka zhvilluar edhe dy takime, të cilat i kishte thirrur kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

Nga ana tjetër, analistët politikë kanë kritikuar LDK-në duke thënë se qëndrimet e saj dykuptimshme nuk mund të çojnë askund.

Imer Mushkolaj, analist, tha se LDK-ja dhe përfaqësuesit e saj politikë duhet të jenë të qartë dhe të tregojnë se duan apo jo që të marrin pjesë në Ekipin negociator.

“LDK-ja duhet ta bёj tё qartё se a dёshiron vёrtetё tё jetё pjesë aktive e procesit dhe përnjëmend dëshiron që të ndihmojë dialogun. Përndryshe, nëse nuk do të jetë pjesë e dialogut apo e Ekipit negociator, duhet ta bëjë të qartë si Lëvizja Vetëvendosje, që thotë se ‘ne nuk marrim pjesë në ekip dhe jemi kundër kësaj marrëveshjeje”, vlerësoi Mushkolaj.

Ekipi negociator pritet të shkojë në një takim në Bruksel, më 8 janar të vitit 2019. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili në vitin 2011 kishte nisur si dialog për rregullimin e çështjeve teknike, për të vazhduar më pas si dialog politik, nuk ka dhënë rezultatet e pritura nga palët në dialog e as nga Bashkimi Evropian, si lehtësues i këtij procesi, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike në vend./ReL/©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë