Limaj: Po punohet drejt marrëveshjes finale, s’ka shkëmbim territoresh

Zëvendëskryeministri i Kosovës, që është edhe bashkë-kryesues i ekipit negociator shtetëror, Fatmir Limaj, ka deklaruar se Serbia dhe Kosova do të arrijnë një marrëveshje finale, e që rrugës do të hiqen taksat dhe do të vijë njohja nga shteti serb. Ndërkohë, e përsëriti se nuk do të ketë shkëmbim territoresh.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës është e interesuar që të arrijë marrëveshje me Serbinë, e po ashtu të ndërtojë raporte fqinjësore e ekonomike. Limaj tha se marrëveshja me Serbinë do të jetë gjithëpërfshirëse, ku do qartësohet edhe çështja e viktimave të dhunës seksuale në Kosovë.

Po ashtu, Limaj ka thënë se gjatë këtij procesi, Kosova do të ruajë raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Rrugës do të hiqen edhe taksat, do të vijë edhe njohja, natyrisht në atë kahe po shkojmë, ne jemi të interesuar të ndërtojmë marrëdhënie fqinjësore me Serbinë, të ndërtojmë paketa të ndryshme ekonomike, po shkojmë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Limaj, raporton Kosovapress.

I pyetur se a do ta humbë Kosova veriun në këmbim të njohjes nga Serbia, Limaj ka mohuar një gjë të tillë, teksa ka thënë se ata po shkojnë në Bruksel për ta fuqizuar Kosovën.

“Në tavolinën e Brukselit po shkojmë që ta fuqizojmë vendin tonë, kurrë mos e hiqni prej mendjes, nuk shkojnë përfaqësuesit e Kosovës për ta ligështuar vendin e vet e as nuk na detyron askush që ta dëmtojmë vendin tonë, as nuk mund të na detyrojë askush”, ka thënë Limaj.

Po ashtu, gjatë kësaj konference, Limaj tha se taksa ndaj Serbisë nuk e rrezikon koalicionin, sepse, sipas tij, vetë koalicioni ka vendosur për taksën. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë