Presidenti dekreton 37 gjyqtarë të rinj

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka dekretuar 37 gjyqtarë të rinj të Republikës së Kosovës, të cilët sot kanë dhënë betimin në ceremoninë e organizuar në prani të presidentit, njofton Kabllogrami.

Në një ceremoni solemne para presidentit Thaçi, gjyqtarët e rinj, shtatë prej të cilëve vijnë nga komuniteti serb, janë betuar se gjatë kryerjes së detyrës do t’i qëndrojnë besnikë Republikës së Kosovës, Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe do të respektojnë rregullat e etikës profesionale, si dhe do t’i kryejnë me besnikëri, në mënyrë të pavarur, profesionale dhe të paanshme detyrat dhe funksionet që u janë besuar.

“Sot është ditë e veçantë për Republikën e Kosovës, sepse sistemit gjyqësor i bashkohen edhe tridhjetë e shtatë gjyqtarë të rinj. Kosova në vazhdimësi ka bërë dhe po bën reforma në sistemin gjyqësor, me të vetmin qëllim që sistemi gjyqësor të funksionojë sa më mirë, që të kemi sundim të mirëfilltë të ligjit në shtetin tonë”, u shpreh Thaçi.

Siç thuhet në komunikatë, Thaçi ka thënë se në vitin e kaluar është bërë një punë e madhe nga institucionet përgjegjëse në hartimin, miratimin dhe shpalljen e ligjeve të rëndësishme, gjë që e kanë avancuar edhe më tej sistemin gjyqësor. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë