Sonte nis “Sunny Hill Festival” i gatshëm të presë 50 mijë vizitorë në tri netët plot yje

Edicioni i sivjetmë i “Sunny Hill Festival”, i dyti me radhë, ka zgjuar interesim të madh. Përgaditjet disa javore për rregullimin e skenës dhe gjërave përcjellëse janë bërë me një profesionalizëm dhe pedanteri të lartë në parkun e “Gërmisë” në Prishtinë.

Me tendencën për ta vënë atdheun e tyre – Kosovën në hartën globale të ngjarjeve top kulturore botërore, artistja e madhe shqiptare Dua Lipa bashkë me babanë e saj Dukagjin Lipa, në edicionin e dytë të “Sunny Hill Festival”, kanë arritur të sigurojnë pjesëmarrjen e top-artistëve botërorë, siҫ është  artistja amerikane Miley Cyrus, DJ skocez Calvin Harris dhe reperi shqiptaro-amerikan Gashi që do të jenë yjet që do ta ndriҫojnë “Sunny Hillin”, shkruan Gazeta Online Kabllogrami.

“Interesimi është i jashtëzakonisht i madh, ka kërkesa prej të gjitha vendeve të rajonit, madje edhe nga Evropa dhe Amerika”, ka thënë për “Kohën Ditore” mediat Alban Kastrati nga “Republika”, agjencia që e organizon festivalin.

Në faqen zyrtare të “Sunny Hill Festival”, shumica e biletave figurojnë të shitura. Kështu ngjan me ato treditore nga 40, 60 dhe 80 euro, njësoj si me ato VIP që kanë kushtuar 200 euro.

“Jemi pothuajse në 10 përqindëshin e fundit të rreth 15 mijë biletave sa kemi pasur në dispozicion”, ka thënë Kastrati për Kohën Ditore.

Qysh në edicionin e parë, “Sunny…” u dëshmua si një alamet festivali. Tash provon 52 milionë rezultate në makinat e kërkimit si Google. Gazeta e revista botërore si “The New York Times”, “The Guardian”, “MTV UK”, “Areavip”, “Rolling Stone”, “Anabel Magazine” dhe “MTV Italia”e kanë përmendur “Sunny Hillin” si ngjarje të rëndësishme, në të cilën defilojnë emra të rëndësishëm të artistëve botërorë.

Në fakt “Sunny…” qysh në zanafillë do të paralajmërohej si i tillë, nga këngëtarja e famshme Dua Lipa që ia dha Kosovës këtë ngjarje. Ajo do të besonte se me “Sunny…” do ta çojë mesazhin se Kosova duhet të njihet më shumë për gjëra të mira dhe të mos mbetet nën hijen e luftës së fundit.

Dua Lipa thotë se “Sunny Hill” po mbahet për të rinjtë dhe talentët kosovarë

Ndërsa sot, lidhur me këtë ngjarje, Komuna e Prishtinës dhe Sunny Hill Foundation kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për krijimin e Sunny Hill Academy në Prishtinë.

Për këtë shkollë muzikore Sunny Hill Foundation po i jep 150 mijë euro. Në këtë shkollë do të ketë instrumente dhe gjëra të tjera që nevojiten për talentet e rinj në Kosovë, që të mund të ushtrojnë aty, transmeton kosovapress.

Dukagjin Lipa tha se qëllimi i këtij fondacioni është që të rinjve dhe fëmijëve të Kosovës, t’u ofrohet një hapësirë ku mund të shprehin frymën artistike.

Ndërsa këngëtarja shqiptare me famë planetare Dua Lipa, tha se kjo ka qenë një ëndërr e madhe për të. Dua tha se Kosova ka shumë të rinj të talentuar.

E kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti tha se Dua Lipa është ambasadorja më e mirë i Prishtinës në botë. “Dua është ndoshta ambasadori më i mirë i Prishtinës dhe Kosovës në botë sot”, ka thënë Ahmeti. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë