Veton Surroi: Varrezat në Kosovë janë përplot viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë

Surroi ka thënë se “Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit intepretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo”, transmeton Kabllogrami.

“Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant”. Por “Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike”. ka shkruar sot shkrimtari e publicisti Veton Surroi përmes rrjetit social Facebook, duke reaguar ndaj deklaratave të Thaçit në Uashington.

Surroi ia kujton presidentit se ishte ai që më 2013 nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive, në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit” e tash thotë se ” nuk duhet lejuar krijimin e një asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe”; deklaron tash se ” kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë”, ndërsa sipas Kushtetutës së nënshkruar edhe prej tij ” Kufijtë e tanishëm të Kosovës janë pjesë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të saj për shtet të pavarur”. Surroi ia kujton Thaçit edhe mendimin e GJND-së, para se ta cilësojë historian amator , të cilin “injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike”.

Më poshtë mund të lexoni të plotë postimin e Surroit, në rrjetin social Facebook:

Hashim Thaçi ka deklaruar në Washington se nuk duhet lejuar krijimin e një asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive në Kosovë, sepse do të thoshte krijim i Republikës Serbe. Por, më 2013 ishte mu Hashim Thaçi që nënshkroi me Serbinë Marrëveshjen e Brukselit me të cilën krijohej Bashkësia e komunave serbe me kompetenca ekzekutive; në formë eksplicite si rrafsh i tretë i pushtetit.

Në Washington po ashtu deklaroi se kufijtë e tanishëm të Kosovës nuk janë vullnet i popullit të saj, se janë produkt i Jugosllavisë. Një deklarim i këtillë është i një historiani amator, jo përfaqësuesit kushtetues të Kosovës në botë.

  • Kufijtë e tanishëm të Kosovës janë pjesë e shprehjes së vullnetit të qytetarëve të saj për shtet të pavarur;
  • Shpallja e pavarësisë u bë në këta kufij dhe pas një procesi të gjatë të protektoratit e të negociatave ndërkombëtare.
  • Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë me mendimin e saj të korrikut të vitit 2010 ka vlerësuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Rrjedhimisht, Gjykata ka vlerësuar se procesi i gjatë, me protektorat të vendosur me Rezolutën 1244 të KS të OKB në kufijtë e tanishëm të Kosovës dhe me negociatat nën udhëheqjen e presidentit Ahtisaari të cilat krijuan bazën ndërkombëtare për njohjen e Kosovës në kufijtë që ka, është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.
  • Biseda për kufij mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete me konflikt të papërfunduar është juridikisht rihapje e tërë procesit që solli pavarësinë e vendit dhe njohjen e kufijve të Kosovës si kufij ndërkombëtarë nga mbi 100 shtete dhe mbrojtjen e tërësisë tokësore të saj nga ana e NATO-s.

Historiani amator ka të drejtë të elaborojë sipas qejfit intepretimet rreth kufijve, por presidenti i vendit jo.

Historiani amator ka të drejtë të jetë injorant. Presidentin e vendit injoranca nuk e mbron nga pasojat juridike dhe politike.

Varrezat e Evropës, përfshirë edhe ato në Kosovë, janë përplot viktima të historianëve amatorë e presidentëve injorantë“. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë