Ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, gjatë fjalimit të saj në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ia ka përkujtuar shefit të diplomacisë së Serbisë, Ivica Daçiqit represionin serb ndaj popullit të Kosovës.
“Vendi ynë u ngrit nga pluhuri i luftës dhe gjatë viteve të administrimit të UNMIK-ut në Kosovë, ishte emisari special Marti Ahtisaari, i cili rekomandoi pavarësinë si status final. GJND solli vendime se Kosova bart të drejtën e vet dhe nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare kur shpalli pavarësinë. Me gjithë këto fakte, ju adresohem juve me korrektësi dhe them se pse jemi mbledhur sot këtu për herë të tretë për katër muaj. Është e pabesueshme që ky Këshill ka mbajtur më shumë sesione për Kosovën, se sa për Sirinë dhe Venezuelën. Është e papranueshme që ky Këshill është shndërruar në teatër nga Serbia përmes gënjeshtrave që as ata nuk iu besojnë. Kjo dhomë është duke u keqpërdorur për të treguar përralla e tregime fiktive nga Serbia. UNMIK-u nuk ka rol dhe as mandat për ta ushtruar në Kosovë. Kjo që po ndodh është se Serbia nuk është e sinqertë për dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Çitaku.
Formimin e Ushtrisë së Kosovës, ambasadorja Çitaku e ka quajtur vendim të drejtë dhe që demonstron pjekurinë e Kosovës si shtet. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës ndaj mallrave serbe, shtoi ajo, nuk ka qenë vendim i lehtë, por ai është marrë si përgjigje ndaj fushatave agresive të Serbisë kundër Kosovës. Çitaku ka përmendur edhe barrierat që Serbia ka vendosur ndaj prodhimeve kosovare, duke mos i lejuar ato të kalojnë nëpër Serbi.
Ajo tha se luftërat në ish-Jugosllavi ndodhën para syve të botës dhe të gjithë e dinë se kush i kreu ato, “dhe ajo adresë është Beogradi”.
“UÇK nuk ka qenë organizatë kriminele dhe terroriste, por ka pasur guxim të luftojë Millosheviqin dhe ne jemi krenar”, u shpreh Çitaku.
Vendimi për statutin e Trepçës, shtoi ambasadorja Çitaku, është legjitim, pasi është resurs i shtetit të Kosovës dhe porositi se koha kur vendimet janë marrë në Beograd tashmë kanë marrë fund.
Ajo ka folur edhe rreth vrasjes së liderit serb Oliver Ivanoviq, duke thënë se policia e Kosovës ka punuar për sjelljen e autorëve para drejtësisë, duke bërë arrestime, por i dyshuari për vrasje vazhdon të fshihet në Serbi, e cila nuk dëshiron ekstradimin e tij në Kosovë.
Ambasadorja Çitaku porositi se Kosova është për arritjen e paqes së qëndrueshme dhe se është koha që Serbia ta pranojë realitetin për njohjen e shtetit të Kosovës. /©Kabllogrami/