Analizë e intervistës së fundit të Thaçit dhënë për ‘Report TV’

Thaçi: Nëse s’kalon marrëveshja me Serbinë në Kuvend, jap dorëheqje ose shpall referendum!

Nga Mentor Bogaj

Presidenti akoma në detyrë i Republikës  së Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ndalet duke qenë kontradiktor në synimin e tij për t’i dhënë vulë projekteve ruso-serbe për ndarjen e Kosovës dhe të përkrahura fatkeqësisht nga disa rusofil që gjenden në administratën e tashme amerikane. Rusofilët në BE kanë qenë aktiv prore (herë me zë më të ulët e herë me zë më të lartë), e mbase rusofilët paskan qenë gjithëherë të strukur diku edhe në administratën amerikane, por tash kanë arritur të “çojnë krye”.

Thaçi është aq këmbëngulës në realizimin e ideve për ‘korrigjim të kufijve’ të Kosovës, sa që na paska shpikur diçka të re, antikushtetuese, pra që nuk gjendet askund në kushtetutën e Republikës së Kosovës, jo pse s’duhet të ishte në kushtetutë, por pse vet Thaçi kur pati mundësi, nuk e lejoi të jetë në kushtetutë bazuar në “dangllat” e pakos së Ahtisarit. Bëhet fjalë për referendumin.

Thaçi në një intervistë për ‘Report TV’ tha: “Edhe kritikët të mos mendojnë që do të shkel Kushtetutën. Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po”.

Si do të arrijë Thaçi ta ndryshojë kushtetutën, hë për hë kjo mbetet pyetje një milion dollarëshe!

Thaçi vazhdoi tutje: “Mund të arrijmë marrëveshjen, pastaj i propozohet Kuvendit të Kosovës, i cili e aprovon ose jo. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqje, ose shpall referendum”, tha presidenti Thaçi në një intervistë në Report TV.

Ai tash thotë se nëse marrëveshja me Serbinë s’kalon në Kuvend, “ose jap dorëheqje, ose shpall referendum”. Ҫfarë absurdi nga presidenti me deklarata të tilla të pamatura e kontradiktore. Shtrohet pyetja, ku do ta gjejë Thaçi këtë referendum, kur s’është i lejuar me aktin më të lartë juridik të shtetit – me kushtetutë. Po e ritheksojmë, jo pse s’duhet të ishte referendumi në kushtetutë sepse është ndër mjetet bazë të demokracisë së drejtëpërdrejtë (direkte) të një populli (që popullit të Kosovës iu mohua me pakon e Ahtisarit), porse kjo s’u lejua edhe për meritë të vet Thaçit, kur ishte koha që  të ndikonte e insistonte që ky instrument i demokracisë të futej në kushtetutë.

Thaçi vazhdoi më tej: “E di që në referendum fitoj 80%, sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkëngjitjen me Kosovën dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës”, tha ai.

Tashti, Thaçi manipulon apo thënë popullorçe “gënjen pa kripë” kur thotë se 75-80% të popullit në Kosovës do ta përkrahnin me referendum në idenë për ndryshim të kufijve, derisa edhe shifra 99% e banorëve të Luginës mbetet diskutabile, kur dihet se nga goja e kujt del kjo fjalë. Edhe sondazhet fallco për manipulim të opinionit, të porositura me tendencë në Kosovë, e së fundi edhe në Shqipëri nga bijtë e ‘haxhinjëve’, e ‘zaloshnjave’ se diku mbi 40% e kosovarëve janë pro “korrigjimit” të kufijve, s’do t’i ndihmojnë fare Thaçit, sepse janë rrenë e kulluar që se kapërdin askush, e lëre më “75-80%” siç ja fut Thaçi në stilin e tij “prej korneri”.

Realiteti është e kundërta. Thaçi e di se mbi 80% e banorëve të Kosovës, me siguri të plotë e kundërshtojnë hapur idenë e tij për prekjen e kufijve të Kosovës edhe po të lejohej referendumi. Veç nëse i falsifikon rezultatet (siç di ai me do ‘trena bullgar’ nga përvoja e 3-4 palë zgjedhjeve të fundit), në ndonjë referendum imagjinar – të shpikur, që akoma s’po mund ta dimë se s’i do ta kamuflonte në sistemin ligjor të Republikës së Kosovës. Por gjithësesi, kohërat kanë ndryshuar dhe vështirë të lejohet sot lëvizja e lehtë e ‘trenave bullgar’ në Kosovë.

Mbase duke përmendur edhe banorët e Luginës (që janë jashtë jurisdiksionit të Kosovës që do të votonin, sipas tij në referendum) që sipas Thaçit do ta votonin pro 99% “për bashkim të Luginës”, me gjasë nëse lexohet mes rreshtave, ka aluduar edhe në banorët e Republikës së Shqipërisë (që po ashtu janë jashtë jurisdiksionit të Kosovës), për bashkim kombëtar me referendum të “Kosovës së cunguar” me Shqipërinë. Duke i njohur mirë perfiditetet e tij tash e 20 vite, s’do të na befasonte as ky konstrukt. Sepse më askujt në botë s’do t’i konvenonin dy shtete shqiptare (aq më tepër një Kosovë e cunguar), dhe me këtë do t’i hudhej hi syve shqiptarëve, se ja po ua lejojmë bashkimin kombëtar (nënkupto, duke cunguar Kosovën).

Nëse edhe Shqipëria po hyjka në vorbollën e këtij referendumi të kamufluar (në krye me Ed Ramën që siç po duket, edhe ai pjesë integrale e kësaj theqafje), atëherë gjasat për manipulimin e rezultatit janë dukshëm më të mëdha, kur dihet se si manipulohet në Shqipëri me gjëra të tilla.

Por një s’duhet ta harrojmë. Banorët e Luginës mbase edhe do votonin 99% pro bashkangjitjes me Kosovën nëse e tërë Lugina me tri komunat: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë me gjithë fshatrat e tyre shqiptare – si një tërësi gjeografike e pandarë do t’i bashkoheshin Kosovës, por s’do ta votonin kurrë (hiç se hiç me 99% pro) Luginën e cunguar siç e ka në plan ta pranojë Thaçi, duke fragmentuar (copëtuar) përfundimisht Luginën.

Presidenti Thaçi në po atë intervistë garantoi se asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të prekë asnjë centimetër të Kosovës.

Tashmë populli i ka kuptuar mirë “garancitë” e një gënjeshtari patologjik siç është Hashim Thaçi. Sipas kësaj logjike të deklaratave të Thaçit, Serbia po ia ‘lejojka’ bashkangjitjen e Luginës në tërësi Kosovës, derisa Thaçi po garanton se “asnjë marrëveshje me Serbinë nuk do të prekë asnjë centimetër të Kosovës”. Hashim kujdes se mos po të rritet hunda tepër, tej përmasave të qenieve njerëzore.

Ai në vazhdim tha edhe këtë: “Nuk do të ketë kufij me baza etnike. Kosova do të jetë multietnike, Serbia do të jetë multietnike”.

Kjo dihet dhe vetëm këtu Thaçi del të jetë i sinqertë, sepse Kosova i ka edhe 4 grupe etnike të njohura me kushtetutën aktuale (plus malazezët dhe kroatët të panjohur akoma ligjërisht), si dhe serbët që do të mbesin në jug të Kosovës, bashkë me objektet kishtare të tyre që siç përflitet, Thaçi se do t’ua njohë eksterritorialitetin, (pra shpalljen e tyre territor i Serbisë brenda Kosovës), prandaj po dihet mirëfilli se “Kosova do të jetë multietnike”.

Po ashtu edhe “Serbia do të jetë multietnike” pasi që edhe në Serbi janë të njohura ligjërisht diku rreth 10 grupe etnike, përfshi hungarezët, boshnjakët, sllovakët, shqiptarët (që do mbesin në Luginën e cunguar – derisa për pak kohë edhe ata do t’i boshatisnin trojet autoktone nëse realizohet konstrukti që Thaçi po punon për jetësimin e tij), kroatët (gati tërësisht të dëbuar), rumunët, romët, bullgarët, etj.

Një deklaratë tjetër e “madhe” e Thaçit në intervistën në fjalë ishte se: “Nuk do të ketë cenim të pasurive shtetërore të Kosovës. Trepça ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë pronë e Kosovës. Edhe bashkimi i qytetit të Mitrovicës do të ndodhë. Edhe Ujmani ka qenë dhe do të mbetet pronë e Kosovës. Unë e kam vizituar dhe njerëzit mendojnë se kam shkuar për të shëtitur. Jo. Ka qenë mesazh i qartë që ai që e prek Ujmanin, prek kombin shqiptar. Dhe nuk ndahet mirë”.

Nëse kamuflohet në marrëveshje siç po përflitet “për çështjet tashmë të dakorduara mes Thaçit dhe Vuçiqit” se dhënia në koncesion të huajve për 99 vjet e Trepçës dhe Ujmanit, si arsyetim se ja që s’ja dhamë Serbisë, por tjetërkujt në shfrytëzim e eksploatim një shekullor, dhe se Mitrovica do mbetet si tërësi me Kosovën, nëse Bujanovci mbetet me Serbinë, apo se Serbia do të bëhet 35% hisedare në Trepçë etj etj, si dhe tri komunat veriore të Kosovës që tashmë po mirren si punë e kryer që do t’i takojnë Serbisë, atëherë ky do të ishte kulminacioni i tradhëtisë më të rëndë kombëtare që njeh historia jonë, pas gjithë atyre vujajtjeve nën barrën qindvjeçare të pushtimit serb dhe gjithë atyre viktimave të gjenocidit serb që u sakrifikuan për çlirimin e Kosovës, dhe pa dyshim se në konstalacionin aktual historik, do t’ia kalonte tradhëtive të Esat Pashë Toptanit, Ali Shukrisë e Rrahman Morinës. Ҫudi me shqiptarët që lejojnë ‘me pari të tillë’ ta poshtërojnë aq ulët veten duke lejuar t’u përsëritet prore historia. Me liderë të tillë, jo që tërë bota të sheh me përbuzje e nënçmim, por edhe miqtë e dëshmuar ta kthejnë shpinën./©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë