“Asnjë zyrtar i lartë nuk gjendet në burg për korrupsion sepse sistemi është i kapur nga politika”

Qindra raste të kualifikuara si pjesë e luftimit të korrupsionit janë në duart e prokurorisë dhe gjykatave, por ky angazhim nuk ka mjaftuar që Kosova të marrë notë shumë pozitive për sa i takon luftimit të kësaj dukurie. Bazuar në raportet e ndryshme ndërkombëtare dhe vendore, luftimi i kësaj dukurie vlerësohet se mbetet ende në një shkallë mjaft të ulët.

Megjithatë, përfaqësuesit e sistemit gjyqësor në Kosovës, thanë për Radion Evropa e Lirë, se nga puna e bërë në drejtim të luftimit të korrupsionit ka rezultate pozitive.

Gjyqtari Agim Maliqi, anëtar i komisionit për implementimin e planit të veprimit për zgjidhjen e lëndëve të korrupsionit, tha pёr ReL se janë më shumë se 500 lëndë për të cilat janë marrë apo pritet të merren vendime në gjykata.

Por, organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, thonë se një pjesë e madhe e aktakuzave që kanë të bëjnë me rastet e korrupsionit të ngritura nga prokuroritë, janë hedhur poshtë nga gjykatat.

Betim Musliu, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se sistemi i drejtësisë në Kosovës është i kapur nga politika dhe, siç shprehet ai, ky sistem po amniston shumë zyrtar të lartë që dyshohet se janë të përfshirë në vepra të korrupsionit.

“Ende në burgjet e Kosovës nuk është i dënuar asnjë zyrtar i profilit të lartë për vepra penale të korrupsionit , rrjedhimisht kjo është një amnisti e cila u bëhet praktikisht çdo ditë zyrtarëve të lartë nga sistemi i drejtësisë, … kjo do tё thotё se sistemi i drejtёsisё është i kapur nga politika dhe politika shpërblehet me imunitet”, ka thёnё Musliu.

Derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, ka thënë se Kosova mund të krenohet me ligjet e reja që fuqizojnë sundimin e ligjit në fushën anti-korrupsion, por shoqёria civile ёshtё tejet e pakёnaqur me kёtё retorikё “boshe” dhe se implementini i kёtyre ligjeve nё praktikё, sidomos kur janё nё pyetje zyrtarё tё lartё tё shtetit, lё shumё pёr tё dёshiruar./ReL/©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë