BE presion Haradinajt: Mbështete fuqishëm Thaçin

Ka vazhduar këmbimi i letrave mes tre anëtarëve të Komisionit Evropian dhe kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Përfaqësueja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, komisionerja për Tregti, Cecilia Malstrom, dhe komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johanes Hahn, i kanë dërguar edhe një letër kryeministrit të Kosovës, transmeton Kabllogrami.

Duket se kjo letër më shumë ka qëllim që të bëjë presion për t’i dhënë mbështetje presidentit Thaçi që të arrijë një marrëveshje me presidentin e Serbisë, Vuçiq, duke mos përjashtuar as idenë e ndryshimit të kufijve, ide e cila ka shkaktuar ndarje në Kosovë, por edhe në BE.

“Ne shprehim mospajtim të thellë me vlerësimin tuaj se dialogu është i bllokuar. Krejt e kundërta, dialogu i zhvilluar nga dy presidentët ishte duke bërë progres të dukshëm”. thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Edhe në këtë letër Mogherini ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës që, duke shfrytëzuar edhe krijimin e ekipit të unitetit për dialog, të mbështesë përpjekjet e presidentit Thaçi. “Është tash esenciale që ju me gjithë peshën tuaj të mbështesni përpjekjet e Presidentit në dialog”, thuhet në letër.

Sot në Bruksel përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini pret në një drekë pune liderët e vendeve të rajonit të Ballkanit, ku i ka ndarë të ftuarit sipas qejfit të saj: tre kryeministra dhe tre kryetarë shtetesh. Nga Kosova, Serbia, dhe Mali i zi ajo ka ftuar presidentët, ndërsa nga Shqipëria, Maqedonia dhe Bosnja e Hercegvovina ka ftuar kryeministrat. /©Kabllogrami/

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë