Shqipëria – 25 mijë euro për Luginën, Serbia 40 milionë për serbët e Kosovës
Qeveria e Republikës së Shqipërisë në mbledhjen e saj të radhës, mbajtur të mërkurën, ka miratuar dy vendime për akordime fondesh për shqiptarët që janë jashtë territorit të saj. Vendimi i parë parashikon dhënien e një kontributi financiar për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, në masën 25 mijë euro, për vënien në funksion të Qendrës Kulturore (Multifunksionale) të këtij Këshilli në Komunën e Bujanocit.
“Efekti financiar, prej 25 mijë eurosh, do të përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2019, për Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme”, thuhet në njoftimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Një vendim tjetër është ai për dhënien e ndihmës financiare për Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, në masën 25 mijë euro për mbështetjen e funksionimit të këtij këshilli dhe të Zyrës koordinuese të tij në Plavë.
Qeveria e Shqipërisë akordon fondin për Këshillin Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës dhe në atë të Plavës, dy muaj pasi përfaqësues të pushtetit vendor dhe atij politik të shqiptarëve në Preshevë deklaruan publikisht se pavarësisht premtimeve të shumta, Kosova e Shqipëria nuk po bëjnë mjaftueshëm për shqiptarët në Luginë, ndërkohë që kanë kërkuar nga dy qeveritë funksionalizimin e fondit për KKSH-në në Luginën e Preshevës.
Në ndërkohë Serbia vazhdon me stimulime marramendëse financiare t’i përkrahë serbët në Kosovë. Nëse krahasimi nuk do të ishte skajshmërisht poshtërues, atëherë do të ishte i trishtë dhe për keqardhje. /©Kabllogrami/