Blerim Reka kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet për President në Maqedoninë e Veriut

Blerim Reka është kandidati i vetëm shqiptar në zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Ai kandidon si kandidat i pavarur por që mbështetet nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa. Duke garuar nën siglën ‘i pavarur’, konfirmohet se ka arritur t’i mbledhë 10.000 nënshkrimet e nevojshme për të hyrë në garën presidenciale.

Derisa partia tjetër shqiptare në pozitë, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetiti ka vendosur që të përkrahë kandidatin maqedonas Stevo Pendarovski në zgjedhjet për president të Maqedonisë Veriore, duke e konsideruar si kandidat konsensual që përkrahet nga partneri i BDI-së në qeveri LSDM-ja e kryeministrit Zaev, dhe parti tjera më të vogla.

Ai për momentin e mban pozitën e Pro rektorit në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL), për kërkime shkencore dhe zhvillim të universitetit. Në këtë pozitë ai është emëruar në shtator të 2010.

Nga qershori i 2006 deri më korrik të 2010 ai ka qenë ambasador dhe shef misioni për Maqedoninë në Bashkimin Evropian, në Bruksel të Belgjikës. Atje ai ka pasur për detyrë që të mirëmbajë projekte për liberalizimin e vizave për Maqedoninë, menaxhim me IPA fondet dhe projekte për edukim dhe zhvillim.

Në karrierën e tij, ai ka pasur shumë punime shkencore dhe publikime ku ka qenë autor apo bashkautor me kolegë tjerë. Temat e publikimeve lidhen me politikën, gjeopolitikën, studimet evropiane, rolin e UNMIK-ut në Kosovë gjatë pasluftës në Kosovë etj.

Ndryshe, zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 21 prill të këtij viti ku përveç Rekës, në garë janë Stevo Pendarovski i mbështetur nga 31 parti (mes tjerash, BDI dhe LSDM), dhe Gordana Siljanovska-Davkova nga OBRM-PDUKM dhe partitë tjera opozitare maqedonase. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë