Gjuha – identitet dhe fortesë e një kombi!

Rubrika: Shpërputhje Kulturore nga Avni Azizi

Nga Avni Azizi

Gjuha amtare është gjuha e parë që mëson njeriu. Përmes saj ai fillon t’i vesh mendimet dhe perceptimet e para mbi botën dhe jetën. Gjuha dhe fjala janë fillimi dhe pikënisja e gjithçka që është njerëzore. Korrespondenca mes njeriut dhe botës gjithmonë kalon përmes ndërmjetësimit të fjalës dhe gjuhës.

Aktualisht, thuhet se në botë sot janë diku rreth 6800 gjuhë, ku gjysmën e tyre e flasin nga më pak se 2.500 folës. Por, sipas UNESCO-së për të mbijetuar një gjuhë duhet së paku 100.000 njerëz ta flasin atë.  Duhet theksuar se gjysma e gjuhëve të botës flitet në vetëm tetë shtete të kontinenteve të ndryshme si; Guineja e re, Indonezia, Nigeria, India, Meksika, Kameruni, Australia dhe Brazili.

Sot problemi dhe procesi i zhdukjes së gjuhëve shkon me një ritëm të shpejtë. Është parashikuar se ndër gjuhët që do të mbijetojnë e fliten do mbeten vetëm 2100. Faktorët që ndikojnë në zhdukjen e një gjuhe janë të shumtë por, mund të përmenden luftërat, gjenocidi, fatkeqësitë natyrore, adaptimi i gjuhëve dominuese etj.

Me zhdukjen e një gjuhë vdesin gjitha burimet e vlefshme të informacioneve rreth popullit dhe kulturës së tij. Parandalimet për të mos degraduar deri në zhdukje të një gjuhe, janë krijimi i kushteve të favorshme për folësit e saj dhe vazhdimi për të u mësuar e përdorur nga fëmijët dhe brezat e rinj. Është e kuptueshme se kjo duhet të përfshijë zbatimin e politikave shtetërore si dhe krijimin  e sistemeve arsimore që e promovojnë dhe e zhvillojnë atë. Fatkeqësisht, sot shumë gjuhë janë të destinuara të zhduken. Por, në qoftë se bashkësia e folëseve të tyre, studiues dhe gjuhëtar, antropologë arrijnë ti regjistrojnë sa më tepër që është e mundur, ato nuk do humben krejtësisht.

Reflektuar mbi rolin dhe rëndësinë e gjuhës, arsimit, shkencës dhe kulturës shqiptare, duke u përpjekur për ti pranëvënë ato në një fushëpamje të merituar, nga këtu duhet të motivohet synimi për ruajtjen dhe zgjerimin e vlerave të saj. Në respektim të dallimeve për të nxitur një mendim dinamik, madje edhe kritik që promovon ide të reja, thellim të dimensioneve njerëzore si dhe orientime domethënëse.

Gjuha shqipe

Dijetarë e gjuhëtarë tanë, kah mot kishin bërë përpjekje për të arritur një leksikografi të pasur të gjuhësisë sonë, duke filluar nga Frang Bardhi dhe „Fjalori latinisht-shqip“, për të arritur deri tek periudha e Rilindjes Kombëtare dhe formësimi i mrekullueshëm i saj në Kongresin e Drejtshkrimit, që lirisht mund të konsiderohet, si e arritura më e veçantë e unitetit gjuhësorë mbarëkombëtar. Edhe pushtues të shumtë, gjatë kohëve u përpoqën që gjuhën tonë të bukur ta çrrënjosin, me bindjet se bashkë me pushtimet e tyre, edhe gjuha jonë do të shthuret e harrohet nëpër humbellat e moskuptimit.

Në absurditetet tona, ku shpeshherë shpërthejnë fushqeta të shumëngjyrta anomalish e çoroditjesh të përfaqura, së prapthi, jo rrallë, sheh e dëgjon ideatorë e ide megalomane, mendime amorfe të pleksura nga padituria e shije idhnake të mbarsura me papërgjegjësi. Dikush sikur të mundet këtë copë atdheu të krijuar me mund e sakrifica, do ta ndante kushedi në sa krahina, regjione, dialekte, fise, bajraqe, do ta quante ndryshe e çka është më tragjikja, ndoshta do të merrte guximin edhe ta pronësonte si të vetin!…

Formësimi i vlerave gjuhësore të një populli shpeshherë krahasohet edhe me identitetin e gjenezën e tij. Të vësh dorë mbi gjuhën, apo të sillesh papërfillshëm e jo komfor saj, ke bërë sakrilegje të pafalshme, ke prekur në indin më të ndjeshëm të kombit.

Tendenca të tilla shkurtë pamëse e mediokre kanë ekzistuar edhe më parë e nuk është për t’u habitur që ekzistojnë edhe sot. Ekzistojnë individë të ndryshëm e plim mediokrish që edhe gjuha jonë e pasur, edhe përkundër unifikimit të saj, t’i kthehet prapë dialekteve e krahinorizmave, theksave, si në të shkruar ashtu edhe në të folur. Pohimet, e besa edhe veprimet e tilla bartin pseudo mbështetje në gjuhën e një pjese të popullit tonë, që fatkeqësisht përdoret ende. Bartësit e këtyre ideve harrojnë apo nuk duan ta kujtojnë se kjo e folur jo e harmonizuar është rezultat i copëtimit siç është vetë kombi ynë.

Ashtu si mbijetesa e kombit edhe gjuha e tij nuk mbeti fatprerë. Roli dhe rëndësia e gjuhës së njësuar letrare, si pasuri e çmuar dhe e përbashkët kombëtare, pa mëdyshje se duhet të shikohet e kuptohet, si një nga kryeveprat monumentale të ngjitur në panteonin e lartësisë sonë kulturore, shpirtërore e kombëtare. Krahas simboleve kombëtare që janë të shenjta, edhe gjuha, qoftë ajo e shkruar, apo e shprehur, duhet të kuptohet e të çmohet si e tillë.

Debatet e zhvilluara në lidhje me gjuhën dhe rishikimin e përmbysjes së standardit tё saj sa janë joshkencore po aq janё edhe qëllimkeqe. Janë të mbarsura me konflikte kulturore brenda qenësisë sonë. Problemet e shqipes së sotme duhet të shihen brenda modernizimit të mbarë shoqërisë. Reformat gjuhësore e drejtshkrimore jo gjithherë kanë kaluar nëpër zbatime. Duhet të marrim shembuj edhe nga të tjerët. Dështimet e orvatjeve për të njësuar e thjeshtësuar sistemet drejtshkrimore do ishin projekte të qëlluara por, ato shpesh ngërthehen nëpër sfida të ndryshme si media, interneti si dhe invazioni i gjuhëve të fuqishme botërore.

Politika dhe planifikimi gjuhësor janë mёse të domosdoshme ashtu siç duhet të jetë edhe përkujdesja institucionale ndaj saj. U takon specialistëve të kësaj fushe për ta mbajtur këtë debat larg pasionit të diletantëve dhe larg emocioneve politike. Mendimet e dëshirat e tilla, për ndarje, nënndarje e copëtime do të ishin vdekjeprurëse, jo vetëm të kulturës, por edhe të pasurisë e visarit shumë të pasur të gjuhësisë sonë.

Gjuha dhe fjalori i shkurtesave

Çdo brez i të rinjve pozicionohet në formimin dhe zhvillimin e kodeve të veta. Ata sikur krijojnë një gjuhë të veçantë për t’u kuptuar mes vete. Kjo gjuhë e tyre rrëshqet nga ajo e përditshmja dhe aq më tepër nga gjuha e standardizuar. Trendet e rinisë dhe gjuha e tyre duket sikur bëhen modë jo vetëm verbale por edhe dalluese. Mënyrat e komunikimit përmes gjuhës së folur apo të shkruar e një pjese të rinisë sonë duken të jenë shqetësuese. Përtacia e të shkruarit sidomos ajo e komunikimit përmes teknologjive të reja ka nxitur tek ata parazitizëm. Për t’i shprehur mendimet dhe fjalët e mendjes  ata jo rrallë shërbehen me simbole, emotikone dhe stenografi të përçudnuara.

Telefoni celular është bërë një pjesë e pandashme për njeriun e ditëve tona e në veçanti pёr rininë. Mjetet e komunikimit të avancuar sot përcjellin të riun gjithkund. Përcjellja e mesazheve tek njëri-tjetri dhe sidomos shkrimi i tyre, duket sikur ka krijuar një fjalor të shkurtesave. Hapësirat e kufizuara dhe shpejtësia në kohën e shkrimit kanë ngritur një mori shkurtimesh të fjalëve dhe pa kurrfarë vlere të kuptueshme.  Nëpër ato tekste të shkurtra gufon një konglomerat shkronjash e fjalë gjysmake të ndihmuara edhe përmes numrave!

Ky eksperimentim me gjuhën nuk i kontribuon zhvillimit të saj, përkundrazi. Kjo nxjerrë shqetësime të reja për të rinjtë që flasin gjuhë të varfër dhe pa fjalor. Përballja me këtë realitet të ri janë frytet e një kulture të re audio-vizuale ku interneti bëhet mënyra e komunikimit mes të rinjve. Rinia jonë duhet të reflektoj në mënyrën e komunikimit mes tyre. Gjuha e pastër dhe inteligjente është dëshmi e një mendje të ndritshme dhe të shëndetshme. Gjuha e drejtë, e pastër ndërton vlerësime. Fjalët ashtu si veprat tona duhet jenë mbushura me besim, shpresë dashuri dhe mirëkuptim.

Përdorimi i gjuhës profane, gjesteve vulgare dhe të vrazhda apo prirjet për të rrëfyer e shfaqur histori të pamoralshme janë fyese e denigruese.  Këto rregulla të përdorimit të gjuhës duhet zbatuar në të gjitha format e komunikimit qofshin ato të shkruara apo nё të folur por, edhe atë te komunikimet përmes mesazheve të celularit dhe faqeve të internetit.

Nëse nuk keni fituar shprehi dhe shprehjet tuaja nuk janë në përputhje me këto rregulla kërkoni ndihmën e të tjerëve. Kërkoni nga familja të afërmit dhe rrethi për të ju mbështetur në dëshirën tuaj të përdorimit të gjuhës sa më të pastër. Kur ju flisni e shkruani mrekullisht gjuhën tuaj amtare ju pasqyroni atdhetari tipike ku lakmueshëm do të edukohen brezat e gjeneratat e ardhme. Me shembullin tuaj ndihmoni të tjerët për ta përmirësuar gjuhën e devijuar. Ta kuptojmë se gjuha përherë është e shenjtë. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë