Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, vlerësoi Lord George Robertsonin me Dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Në mirënjohje të thellë për angazhimin e çmuar në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe për kontributin e spikatur në integrimin e Shqipërisë në Aleancën Trans-Atlantike”.
Në një audiencë të veçantë, ku merrnin pjesë personalitete të larta britanike, Presidenti Meta, e cilësoi Lordin George Robertson si një nga personalitetet më të spikatura të politikës ndërkombëtare të kohës, por dhe si një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe rajonit.
Në fjalën e tij, kreu i shtetit shqiptar theksoi se emri i Lord Robertsonit është i gdhendur në kujtesën e mbarë shqiptarëve, për kontributin historik si ministër i Mbrojtjes së Britanisë se Madhe dhe si Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, në dhënien fund të gjenocidit të Sllobodan Millosheviqit në Kosovë, si dhe forcimin e paqes dhe sigurisë në Ballkan.
Po ashtu, Meta shprehu edhe një herë mirënjohjen e thellë të shqiptarëve ndaj Lordit Robertson për mbështetjen e vendosur për zgjerimin e NATO-s në rajonin tonë dhe për integrimin e Shqipërisë në këtë Aleancë.
Lordi Robertson, pasi i shprehu Metës falënderimet për këtë vlerësim të lartë, nënvizoi se është shumë krenar që kishte patur fatin të kontribuonte në vendosjen e paqes në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe përsëriti bindjen se për çlirimin e Kosovës, Aleanca kishte bërë, jo vetëm gjënë e duhur, por të vetmen gjë që duhej bërë në atë periudhë.
Lordi Robertson shprehu gjithashtu kënaqësinë për progresin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe gjithë rajonit drejt integrimin Euro-Atlantik që konfirmon vendimet e drejta historike që u morën dy dekada më parë. /©Kabllogrami/