KOHA ARTISTIKE E FJALËS – Mbi librin më të ri me poezi: „Fusha e heshtjes“ së poetit Avni Azizi

Shkruan: Violeta ALLMUÇA - Shkrimtare

Poeti i shquar shqiptar, Avni Azizi, që fizikisht jeton e vepron në mërgim, por që me mendje e shpirt prore rrugëtin në vendlindje, ka edituar librin e tij më të ri me poezi “Fusha e heshtjes”, padyshim edhe një nga perlat e poezisë shqipe, siҫ jemi mësuar tashmë me poezitë e Avni Azizit. Shkrimtarja Violeta Allmuça ia ka kushtuar disa fjali me impresionet e saj kësaj vepre të Avni Azizit.

 

KOHA ARTISTIKE E FJALËS

Mbi librin më të ri me poezi: „Fusha e heshtjes“ së poetit Avni Azizi

Shkruan: Violeta ALLMUÇA 

Si një lexuese e poezisë së mirëfilltë, teksa mbetem adhuruese selektive e mijëra vargjeve me rrënjët në pemën e madhe poetike, arrij të zbuloj Unin e çdo poeti/poeteje. Kur lexova disa poezi të poetit Avni Azizi, u çudita që ai poet shkruante vetëm në të tashmen. Kjo ishte, koha artistike e fjalës, e vërteta e tij thuajse rebele, ndërkohë që kthimin në retrospektivë e kishte kthyer në meditime poetike. Vargjet e tij ishin plot dritë pasi kishin medituar disa kohë në errëti dhe lidhja e brendshme artistike e krijuesit me kohën apo hapësirën lidhej me botën e jashtme shpirtërore të lexuesit. Nuk është aq e lehtë të hysh në mendimin e lexuesit dhe të mbetesh në kujtesën e tij. Rrallë e prekin poetët këtë dimension, ku lënda e fjalës poetike të sjell jetë dhe emocione nëpërmjet shprehjes artistike, edhe pse poetët në përgjithësi jetojnë në vetmi. Ata gjithsesi në këtë dimension dëshirojnë të komunikojnë me njerëzimin nëpërmjet figurave artistike.
Në dhomë heshtja
Qëndron si trëndafil
Në kopsht shpërthen
Breshër

Në një nga degët e pemës poetike Avni Azizi ulet dhe gjen motivet e poezisë, nga nostalgjia, kujtesa dhe ëndrra e së tashmes. Është “sekret” pse ky poet që shkruan poezi moderne, jeton dhe shkruan vetëm në një kohë! Gjithsesi meqë poetët duan të mbështeten në fushën e lirisë, hyjnë edhe fushën e heshtjes. Kështu është jeta. Kështu mendon edhe ky poet.

Në të ndarat e hambarit
Petale prerë në copa
Kokrra e lashtësi
Dhe varieteti “Evropa”

Kam besuar se nëpërmjet ëndrrës Azizi nuk shfaqet si një poet “surrealist”. Ai është një poet dallues, tokësor dhe e mbush pemën e tij poetike me ekstraktin e lëndës artistike. Në librin “FUSHA E HESHTJES” ndjejmë pulsin lirik të vargjeve brenda boshtit kohor të së tashmes, ndjesinë e këtij krijuesi të veçantë në letërsinë shqipe dhe më gjerë.

Do bashkohemi
Do kryqëzojmë rrugët
Ëndrrat e mëshiruara shikimet
S`do jemi qielli i zi

Avni Azizi është një poet befasues i cili e lind poezinë nga vetja e tij, ashtu si rrezja që lind nën diell, nga ëndrrat e tij, ashtu si ëndërrimi e bën të padukshmen të dukshme, nga dhembjet e tij, të cilat i shfaqen në vargje sa herë që ka dhembje bota e gjerë, me ndjenjën e tij, për të bukurën dhe shpresën. Me artin figurativ dhe gjuhësor ai shkruan për njeriun, për baltën e atdheut, për dashurinë, për vdekjen me një stil të gjallë pa droje, ku rrok kujtesën e së përditshmes me ndjesinë artistike, lirike e filozofike, për të na treguar se poezia nuk përputhet me jashtëkohoren, por me zbulimin e shenjave të kodit të së pamundurës brenda të mundurës estetike.

Violeta ALLMUÇA
Shkrimtare

 

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë