Kryeministri premton rritje të pagave nё shёndetёsi

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj priti në takim kёshillin grevist tё Federatës Sindikale të Shëndetësisë të Kosovës të kryesuar nga Blerim Syla, me të cilët bisedoi për gjendjen në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, njofton kumtesa nga zyra për informim e Qeverisë së Kosovës, pёrcjell Kabllogrami.

Haradinaj me këtë rast u njoftua nga përfaqësuesit e FSSHK-së me pakёnaqёsitё e tyre qё nxitёn grevёn dhe për ndodhitё e fundit të krijuar në këtë sektor, për shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, e njëri nga këto shqetësime ishte kategorizimi i pagave të punëtorëve shëndetësorë.

Kryeministri Haradinaj me këtë rast tha se Qeveria e Kosovës e ka rritur buxhetin për shëndetësi dhe për vitin 2019 është paraparë rritje e ndjeshme e buxhetit, e cila do të ndikojë edhe në mirëqenien e punëtorëve shëndetësorë.

Kryeministri Haradinaj ka vlerësuar se që nga marrja e mandatit ka punuar në mënyrë intensive për krijimin e bazës ligjore që ky kategorizim të aplikohet sa më parë edhe në sektorin shëndetësor dhe krahas kësaj po punohet edhe në reformat e këtij sektori.

“Zgjidhja e problemit të pagave për punëtorët shëndetësorë, është kategorizimi i tyre, përmes ligjit. Qeveria e Kosovës e ka proceduar ligjin në Kuvendin e Kosovës dhe do të shihen mundësitë që edhe në këtë fazë të trajtohet çështja e koeficienteve për stafin e mesëm, veçanërisht për infermierët”, tha kryeministri Haradinaj, duke kërkuar nga personeli shëndetësor që qytetarëve t’iu ofrojnë shërbime cilësore dhe trajtim të dinjitetshëm. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë