‘Kunjat’ mes Thaçit e Haradinajt kanë nis të bëhen ‘bajat’

Koment i Kabllogramit

Nga Mentor Bogaj

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nga Tirana ku po mbahet një ‘Samit i Diasporës’ ka vazhduar duke thumbuar kryeministrin Haradinaj, madje ia ka përmendur lidhjet që ky i fundit i paska me Radoiçiqin, për ç’gjë opinioni s’di asgjë ose fare pak.

Radoiçiqi është dora e djathtë e Vuçiqit në Kosovë i legjitimuar përmes ‘Listës Serbe’ si nënkryetar i saj, një grupim kriminal ky që fshihet pas politikës, dhe njëherit ‘bos’ i krimit të organizuar në veri të vendit, si dhe është cilësuar nga organet e hetuesisë si një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Oliver Ivanoviqit – një ish-lider lokal i opozitës serbe, njëherit kundërshtar i madh i Vuçiqit.

Radoiçiq, pra është fakt notor që është nga njerëzit kyq të Vuçiqit në Kosovë, e Vuçiqi është një nga njerëzit me të cilët Thaçi është lidhur shumë së fundi – duke mos i kursyer as takimet sekrete mes tyre, në të cilat përveç temave për ndarjen e Kosovës, ku me dit se ç’bëjnë tjetër!? Nuk duam të paragjykojmë asgjë, por vet termi ‘takime sekrete’ prejudikon shumë gjëra!

E kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë sot, të premten se presidenti Hashim Thaçi i ka bërë dëme të mëdha Kosovës, me përcaktimin e tij për t’i vënë kufijtë e shtetit në dialogun me Serbinë.

Qëndrimin e ka shprehur pas akademisë përkujtimore të organizuar në Prishtinë, për akademikun Idriz Ajeti.

“Presidenti i ka bë dëme të mëdha vendit me idetë e tij lidhur me dialogun dhe me avancimet për ndarje të Kosovës”, ka thënë Haradinaj. “Pra, diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”.

Qëndrimin e ka shprehur, pasi është pyetur nëse ishte i qëndrueshëm konstatimi (thumbimi) i presidentit sot nga samiti i diasporës në Tiranë, dretuar Haradinajt se, me insistimin e tij, Haradinaj ka hequr dorë nga konferenca ndërkombëtare për Kosovën, një propozim i dëmshëm që ishte vlerësuar se mund t’ia rihapte për negocim statusin Kosovës.

Ndërsa edhe dje kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shfaqur ndjenja ambivalente ndaj presidentit Hashim Thaçi.

Kryeministri tha se e do shumë presidentin, por e cilësoi si njeriun që i ka shkaktuar dëmet më të mëdha Kosovës me idenë e tij për ndarje.

Ai ka thënë se presioni i shtuar amerikan e evropian origjinën e ka në Kosovë, tek ata që tha se kanë hyrë në obligime me Vuçiqin, për realizimin e ideve serbo-ruse.

Kryeministri sërish ka përsëritur se taksa prej 100% do të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës nga Serbia, duke kritikuar figura në lidershipin e vendit tonë, për mos konsistencë dhe zbrazje prapa pas presioneve jo parimore të ndërkombëtarëve.

Ndryshe, raportet Haradinaj – Thaçi ka kohë që janë acaruar. Thaçi publikisht po insiston në ndarje të Kosovës nga vera e vitit të kaluar – kur befasoi të gjithë kosovarët, por edhe miqtë e mirëfilltë ndërkombëtarë të Kosovës – duke dal hapur në përkrahje të ideve të vjetra serbe për ndarje të Kosovës, madje duke i promovuar si ide të tijat.

Thaçi prekjen e kufijve herë të quajtur shkëmbim të territoreve, herë ndarje të Kosovës etj etj, tash e quan me një gjetje origjinale të tij që e rrumbullakson me “korrigjim të kufijve”. Ҫka do të thotë kjo, Thaçi e di më së miri nga negociatat sekrete që ka zhvilluar (madje përflitet dhe ekziston frika e bazuar se veçse ka arritur marrëveshje për “idenë e tij të korrigjimit të kufijve”), por një gjë është e ditur notore se Kosova do të jetë humbësi më i madh i këtyre malverzimeve kuislinge të Thaçit – duke rrezikuar seriozisht vet ekzistimin e shtetit të Kosovës.

Haradinaj kohë më parë kishte thënë në një studio televizive se kufijtë lëvizen ose mbrohen veç me luftë e çizme ushtarake, derisa Thaçi i njohur për ‘kunjat’ e tij perfid e të ulët skajshmërisht, i ishte përgjigjur Haradinajt duke i thënë: ‘Nësë do luftë nisja, por jo nga studiot televizive’.

Haradinaj kohë më parë në një ceremoni rivarrimi të dëshmorëve të rënë në luftën çlirimtare kundër okupatorit serb, në Marinë të Skenderajt, i kishte thënë Thaçit ndër sy dhe publikisht se do ta mbrojë nga Ti territorin e Kosovës.

Përplasjet mes tyre janë vërejtur më shumë së fundi kur Haradinaj po këmbëngul që taksa ndaj produkteve serbe e boshnjake të mos hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kështu, një përplasje virtuale mes tyre për taksën ndodhi javë më parë kur Thaçi i njohur për ‘kunjat’ e tij i tha përmes rrjeteve sociale Haradinajt se bora do të shkrihet por “shpresoj të mos bëhet skllotë”.

E Thaçi me ca lakanderë si ai vet, tash bën presion duke u thirrur se po humbim përkrahjen e huaj nëse s’hiqet taksa. Duhet thënë patjetër se përkrahjen e huaj, Thaçi ia ka humbur keq këtij vendi me 10 vitet e tij në pushtet duke e shkretuar qëllimisht Kosovën e duke e sjellë buzë greminës, e jo një taksë që po del të jetë mburrojë ndaj marrëveshjes – tradhëtisë kombëtare të rradhës me protagonist Esat Pashën, na falni Rrahman Morinën, o na falni përsëri, me protagonist sërish vet Hashim Thaçin.

E tërë kjo “luftë” virtuale e ‘kunjave’ dhe ‘thumbave’ mes dy liderëve më të lartë institucionalë të vendit ka nisur të bëhet bajat, por e tillë do të jetë derisa perfidi Hashim Thaçi të jetë në pozitë, sepse gjerësa ai të jetë në ç’farë do forme të pushtetit, edhe veprimet e tij antikombëtare nuk do të kenë të sosur. Për këtë jemi bindur tashmë qe 11 vite, që nga shpallja së Kosovës “shtet i pavarur dhe demokratik”!. /©Kabllogrami/

Lexo edhe

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni në rregull me këtë, por mund të zgjedhni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më shumë